Tepelenë, 7 gusht, NOA – Një 51 vjeçar nga Tepelena është arrestuar mbrëmjen e djeshme me akuzën për falsifikim dokumentesh. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Krahës të Tepelenës dhe i arrestuari është Hysen Ahmeti.
Ahmeti ka falsifikuar deklaratat dhe firmat e bashkëfshatarëve të tij në lidhje me madhësinë e pronës prej 1200 metrash dhe e ka paraqitur dokumentin në hipotekën e zonës. Pas verifikimit të specialistëve është parë se dëshmitë për marrjen e tapisë për këtë pronë ishin të falsifikuara.
Pas denoncimit nga Zyra e Pasurive të Paluajtëshme në Tepelenë Specialistët e Sektorit Kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër kanë bërë ndalimin e shtetasit dje rreth orës 17 në Krahës të Tepelenës.
Policia sqaron se Ahmeti ka fallsifikuar dokumentin “Plan Rilevimi”, i cili bëhet në bazë të Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi.
“Ky shtetas dyshohet se ka fallsifikuar firmën e dy shtetasëve të tjerë që janë pronarë të tokës me të cilën kufizohet toka që do të merrte në pronësi shtetasi i lartpërmendur”, thuhet në njoftimin e policisë.
NOA