English

Gaçi: Fakte të reja për pasurimin e burrit të deputetes Albana Vokshi

Tiranë, 7 gusht, Update, NOA – Partia Socialiste ka paraqitur sot fakte të reja që sipas deputetit Artan Gaçi, dëshmojnë për afera korrputive në të cilat është përfshirë dhe kryeministri Sali Berisha.

“Sot do të tregojmë disa detaje të tjera të pasurimit të Albana Vokshit, ish këshilltares për ekonominë të Kryeministrit. Nën këshillimin e saj, por me vendim të tijin, Berisha i kaloi burrit të këshilltares kontrata për nxjerrje nafte nga nëntoka shqiptare për 25 vite”, u shpreh deputeti i PS-së.

Sipas tij, rezervat e naftës në zonat ku kompania e Albana Vokshit punon, kapin një vlerë tregu prej afër 4 miliardë dollarësh. “Kompania e Vokshit dhe Tartarit po nxjerr miliona dollarë duke paguar shtetin shqiptar me thërrime. Sali Berisha i ka falur deputetes Vokshi pasurinë publike të shqiptarëve. E kuptoni Sali Berisha i ka falur Albana Vokshit 4 miliard dollarë të pasurisë publike. Ndërsa taksat që paguan kjo kompani në arkën e shtetit janë qesharake, 2-6%”, u shpreh Gaçe.

Ai theksoi se zonat që i janë falur deputetes së PD-së kanë qenë prodhuese nafte prej vitesh.

Deputeti i PS-së ka theksuar se me vendimin e qeverisë në 8 gusht 2007, kryeministri Berisha ka shkelur ligjin për konfliktin e interesit. “Ai i fali burrit të këshilltares së tij tre fusha prodhimi nafte funksionale, e një fushë gazi natyror. Kjo kontratë iu dha me propozim të Ministrit të Ekonomisë dhe të vetë Albana Vokshit, një firme pa eksperiencë në këtë sektor e pa projekte të tjera në menaxhim, por që si vlerë të vetme kishte faktin që ishte pronë e familjes Vokshi- tartari”, tha deputeti i PS-së.

Gaçi theksoi se dhënia e pasurisë së shqiptarëve nga ana e kryeministrit Berisha është shpërblimi për shërbimet që i kanë bërë deputetët interesave personale.

“Berisha fali pasurinë e të gjithë shqiptarëve sikur të ishte vetëm ai pronari i saj, për të pasuruar e shpërblyer vuvuzelat e tij. Kjo është fytyra e kalbur e korrupsionit të një pushteti që nuk e njeh shtetin, por vetëm interesat personale të sulltanit e oborrtarëve të tij. Kjo, është vjedhje e hapur e pasurisë sonë të përbashkët”, u shpreh Gaçi.

A shtoi se ky pushtet nuk mbështetet tek vota e qytetarëve të këtij vendi, por tek vjedhja sistematike e tyre, nga vota e deri tek xhepat e kursimet.

NOA

KOMENTE