Shkup, 7 gusht, NOA – Policia e Maqedonisë ka zbuluar 135 kilogram drogë marijuanë të cilësisë së lartë në një veturë në autostradën Veles-Negotinë.
Njësitet policore pas informacioneve paraprake, në operacionin e realizuar “Meduza” kanë ndjekur veturën e ngarkuar me drogë dhe më pas ajo është ndaluar rreth mesnatës.
Droga u gjet në veturën transportuese “Pezho” me targa të Gostivarit, e cila drejtohej nga Muhamer Maksuti dhe Xhevat Ademi nga rajoni i Gostivarit.
Grupi ishte i mirëorganizuar, pasi transporti ndiqej nga një veturë përpara me targa kroate, që drejtohej nga Sebadin Rrustemi.
Zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski, theksoi se droga para një muaji ishte porositur nga Shqipëria, e cila është sjellë në Gostivar, ndërsa synimi ishte që ajo të shitej në tregun e Zvicrës, ku do të kishte një vlerë prej 500 mijë eurove.
Ndaj grupit të të arrestuarve, është shqiptuar masë paraburgimi, ndërsa MPB ka vijuar hetimet për zbulimin e këtij operacioni.
Ky është aksioni i gjashtë brenda këtij viti, ku janë zbuluar sasi të konsiderueshme të drogës.
NOA-INA