English

Pas Naomi Kembëll, në Hagë dëshmon edhe aktorja Mia Farrou

Hagë, 7 gusht, NOA – Pasi supermodelja Naomi Campbell ka dhënë në Tribunalin e Hagës pak ditë më parë dëshminë e saj për diamantët e përgjakur të dhuruar nga ish-presidenti i Liberisë, Çarls Tejlor, një tjetër yll i njohur do të dëshmojë për këtë proces.

Kështu, pritet që javën tjetër në Tribunalin e Hagës të paraqitet edhe aktorja e njohur, Mia Farrou.

Bëhet me dijeni se edhe aktorja do të dëshmojë lidhur me të ashtuquajturat "diamantë të përgjakshëm", të cilat supermodelja Naomi Campbell i kishte marrë si dhuratë nga Tejlor, në një darkë në vitin 1997 në shtëpinë e Nelson Mandelës.

Ish-presidenti i Liberisë, Çarls Tejlor, gjykohet për krime në luftën civile në Siera Leone dhe konkretisht akuzohet se "diamantët e përgjakur" ka armatosur kryengritësit e këtij vendi.

Në atë periudhë janë vrarë rreth gjysmë milion njerëz ndërsa 4.5 milionë u detyruan të braktisin shtëpitë.

Nga ana e saj, supermodelja Naomi Campbell mohoi para Tribunalit të Hagës që të ketë marrë si dhuratë nga diktatori Tejlor “diamantë të përgjakur”.

n.e/NOA

KOMENTE