English

Shkupi digjet e plaka krihet në katund

“Ali Ahmeti këtë verë ka ikur në Zajaz. Menduh Thaçi, rrëzë Sharrit në Tetovë. Imer Selmani nga Saraji piktoresk, u dërgon ndihmë “vëllezërve” përmes deputetes së tyre artiste Znj. Flora Kadriu: dredhëza me shporta. Sefedin Haruni i shkruan letra “dashurie” Ilir Metës. Komandant Hoxha na dërgon nga malet: dardha gorrice. Hysni Shaqiri, siç duket ka shkuar për pushime në “Zonën e lirë”, në Kumanovë”.

Nga Kalosh Çeliku

Vapë. Dhe, çdo gjë të djeg nën këmbë si shpuzë: Trotuari, asfalti, shkallët në oborr. Edhe parqet e Çairit plot bërllok. Qyteti i betonit, Shkupi siç duket këtë verë ndizet në flakë. E djegin partitë politike. E djeg Natyra. Priftërinjtë dhe hoxhallarët, do të thonë: për inat edhe Zoti. Ikin kush si mundet dhe nga mundet në të katër anët e botës. Partizanët e partive politike në pishina. Brigjeve të ndonjë lumi. Ose, në liqen. Politikanët në det. “Intelektualët” (me diploma e tituj shkencor universiteti të blerë në Bullgari e Qafë Thanë), pak si më “trima” me gjithë gra e fëmijë në Katund. Vetëm, populli nuk ka ku të ikë nga ky saç i skuqur politik, është strukur nëpër kolibet e tyre me këmishat e zhveshura arnë mbi arnë e një copë buke në dorë mes mureve të shtëpive. E presin Dimrin me borë t’ua mbulojë çatitë e të ndezin zjarrin në oxhak.

Përmendoret në të dy anët e Urës Gurit, me kuaj shale e më këmbë, kush me kryqa e libra të shenjt në duar, hoxhallarët nga minaret e xhamive pesë herë në ditë duke e thirrur Zotin në ndihmë, më kot përpiqen ta shuajnë flakën që e ka kapluar Shkupin. Edhe Pjetër Guri, gjatë festimit të Kryngritjes të Ilindenit në Krushevë, kot nga atje hodhi gurë mbi zjarr. Shkupi vazhdon të digjet flakë nga politika “patriotike”.

Ali Ahmeti këtë verë ka ikur në Zajaz. Menduh Thaçi, rrëzë Sharrit në Tetovë. Imer Selmani nga Saraji piktoresk, u dërgon ndihmë “vëllezërve” përmes deputetes së tyre artiste Znj. Flora Kadriu: dredhëza me shporta. Sefedin Haruni i shkruan letra “dashurie” Ilir Metës. Komandant Hoxha na dërgon nga malet: dardha gorrice. Hysni Shaqiri, siç duket ka shkuar për pushime në “Zonën e lirë”, në Kumanovë. Bardhyl Mahmuti, rrezitet në diell përpara këmbëve të Xha Naimit, në Tetovë.

Gruevski dhe Cërvenkoski i kanë nxjerrë shpatat nga brezi për luftë. Mjetet e informacionit i përcjellin për së afërmi “betejat e tyre të përgjakshme” për Maqedoninë. I dalin zot Shkupit. Thonë nga “Meçki Kamen”, në Krushevë: “nuk duam askujt t’i marrim territore, as kulturë, as histori, asgjë që është e huaja. Po, nuk duam të na e marrin edhe neve atë që është e jona, patriotike”. Përpiqen, ta shpëtojnë nga zjarri Maqedoninë. Boshkovski, në këtë ditë madhështore edhe ai u vjen në ndihmë me disa komita: hedh benzinë me kova mbi zjarr. Todor Petrov në shënimin e 2 gushtit të dy Ilindenëve, në katund e shpallë Greqinë fashiste.

Shkupi ende digjet në flakë. Ndërkombëtarët, përpiqen ta shuajnë nga toka e qielli me helikopterët e Rusisë që i bleu ish-qeveria gjatë krizës së Luftës të 2001-shit. Nga të gjitha anët i ka hyrë zjarri Maqedonisë.

E vetmja, që mund ta shuaj këtë zjarr, hedhë një kovë ujë, është Greqia. Edhe pse, edhe asaj gjatë kësaj vere i ka rënë flaka. Shqipëria, u dërgoi në ndihmë Ilir Metën, që mezi shpëtoi kokën në Bit - Pazar, për pak e përpiu flaka. Bullgaria, matanë edhe ajo e feston Ilindenin e vet historik. Thotë: Maqedonia është bullgare dhe shqiptare. Nëna Serbi, nuk ka më tambël t’i japi foshnjës që e lindi në mesin e arave të kooperativës, i ka shterë gjiri. Taxhia. Hoxhallarët, me duva e hajmalia më kot përpiqen t’ia kthejnë tamblin. E ka thithë bolla me flokë.

Evropa, përpiqet ta fusë në vathë mes lopëve të “dërzhavës”. Edhe hedhë një torbë taxhi, një krah bar në grazhd. Nesër, ta mjel me kusi në kooperativën bujqësore të (Tito) Velesit. Edhe pse, ajo qet shqelma, nuk do të milet si lopë. E kërkon shterren që i iku nga vatha. Ende mendon ta rrisë lopë katundi, ta mjelë edhe në të ardhmen me kusi.

Punë e kotë, më thotë Mikja. E ka nemur Shoku Tito. Nuk bëhet shtëpi, nuk përkund djepa kjo Nuse kurvë. Tri Cucat gjylvetare që ia polli putanja dhe i rriti me shumë mundime, i përzuri nga shtëpia. I nxorri në sokak, i la dyerve të hallkut nëpër shtëpi publike ta shesin veten edhe për bukën e gojës. Secilit që t’i teket dhe kur t’i teket, t’i shterë herdhet. Pasmesnate, të pjellin kopila, e ditën të na i lënë pas dere. Merrni, i futni në shtëpi, janë lyrekët e juaj që i pollën gratë e juaja kurva!

Dhe, të nesërmen, përderisa Shkupi digjet flakë, këta kopila lëmshë na i bënë shtëpitë. Në mes të odës hedhin valle. Edhe marrin nuse. Dasëm bëjnë me shtatë palë lodra e cingana. Krushqit i prinë koçisë me këngë. Krushkat me dajre na e zbresin në lëmë.

Dhëndrri e merr për krahu dhe e futë në dhomë. Pasmesnate, kur i del gjumi e sheh se ia kanë ndërruar Nusen. Tjetër cucë i kanë futur në koçi. Kunatat e marrin për krahu te bunari t’i japin ujë. Vjehrra e sheh nëpër sitën e miellit. E mua, nuk më vijnë miq të paftuar në banesë: të m’i shohin raftet me libra, shtratin e drurit, tavolinën e punës, llampën mbi kokë. Tekefundit, të ma shohin pasurinë e patundshme, se atë të tundshmen e dinë, e kanë për mejdani. Shkurt, të ma qajnë hallin, afrojnë vende pune, kolumna teknefese të shkruaj nëpër gazetat e “vëllazërim-bashkimit”, të më blejnë me para si kolegët e mi “patriotë”, shkrimtarë oborri.

Edhe pse, Shkupi digjet flakë, dasmat “patriotike” edhe gjatë kësaj vere i fryjnë zjarrit. E ndezin, i hedhin krënde të thata nga malet e Diasporës. Këngë tallava. Euro me torbë. Djersën disavjeçare që e kanë fituar shqiptarët nëpër dyert e hallkut, e harxhojnë brenda një nate. Edhe atë: kur fëmijët e tyre edhe në shekullin e XXI, nuk kanë shkolla, mësuesë, biblioteka, libra e fletore…

Përditë, ankohen në polici: ua kanë vjedhur banesat. Paratë. Stolitë e arit. E pabesueshme. Vite me radhë, unë banesën time përplot me libra, nuk e mbyll me çelës. E lë të hapur, edhe ditën edhe natën. Nuk duan të hyjnë hajdutët, dhe nuk duan edhe pse moti ua kam hapur krah më krah derën. Ose: më shumë i duan eurot. Stolitë e arit. E nuk duan libra. Ndodhë. Çdo gjë është e mundshme në këtë shtet “demokratik”, që i vjedh edhe shkrimtarët, dhe vetë maqedonët i hedhin dru zjarrit ta djegin Shtrigën. Ose, siç duket janë hajdutë të ndershëm, nuk i vjedhin shkrimtarët, nuk duan libra.

KOMENTE