Gjirokastër, 8 gusht, NOA – Një aksident me dëme të rënda ekonomike për një blegtor nga Gjirokastra ka ndodhur orët e para të mëngjesit të sotëm. Një autobus ka shtypur rreth 40 kokë bagëti në aksin rrugor Gjirokastër –Tepelenë, në vendin e quajtur Ura e Kardhiqit të rrethit Gjirokastër.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05.00, kur çobani Jorgji Zharkalli nga fshati Humelicë i Gjirokastrës ka qenë duke kaluar bagëtitë nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Në këto momente një autobus nuk ka arritur të frenojë në kohë, duke kaluar mes për mes tufës së dhënëve.
Policia e Gjirokastrës raporton se drejtuesi i autobusit nuk ka ndalur në momentin aksidentit. Ndërkohë që çobani nuk ka arritur të marrë targën e mjetit që i shkaktoi demin.
Policia e Gjirokastrës ka njoftuar komisariatet e Policisë së Tepelenës, Përmetit dhe Mallakastërës për të ngritur postoblloqe policie dhe për të bërë të mundur kapjen e automjetit që shtypi bagëtitë.
Policia sqaron se “po punohet për të evidentuar automjetin dhe për arrestimin e drejtuesit të automjetit”.
NOA