Sarandë, 8 gusht, NOA – Kanë përfunduar punimet në 22 kilometra të superstradës Sarandë – Konispol. Sot ministri i Transporteve Sokol Olldashi ka inspektuar punimet për realizimin e kësaj vepre që do të rrisë ndjeshëm cilësinë e qarkullimit në këtë zonë.
Superstrada Sarandë- Konispol përbëhet nga dy seksione, Qafë Botë-Krane dhe Krane – Sarandë.Aktualisht përqendrimi më i madh i punimeve është te dy urat, ajo e Kanes dhe e kryqëzimit të Delvinës, deklaron Ministria e Transporteve.
Segmenti me gjatësinë 40 km dhe gjerësi 9.5 m përbëhet nga 2 korsi, ku shpejtësia e lëvizjes është 80-100 km/orë .
Vlera e investimit për segmentin Sarandë – Konispol është 29 milion Euro, i cili është një investim i përbashkët i qeverisë greke dhe shqiptare.
Gjatë inspektimit të punimeve mbikëqyrësit e tyre deklaruan se deri më sot janë kryer 70 % e punimeve. Rruga përbehet nga 12 ura dhe shume vepra të tjera arti.
Ministri Olldashi gjatë inspektimit u ndal edhe në segmentin turistik Kanali Cukës – Butrint, ku ka filluar asfaltimi i 3 km të parë.
Ritmet e punimeve në këtë segment kanë hasur në vonesa si pasojë e kalimit të projektit në zona që rezultuan arkeologjike.
Ministria sqaron se për këtë arsye ky projekti u rishikua në tërësinë e tij duke dhënë një zgjidhje përfundimtare rrugës pa dëmtuar vlerat arkeologjike të zonës si dhe parkun e Butrintit.
Segmenti Kanali Cukës – Butrin ka një gjatësi prej 12 km dhe gjërësi 9 m dhe investimi ka një vlerë prej 1.2 miliard lekë.
NOA