English

Facebook, YouTube dhe Twitter si mjete proteste

Nju Jork, 8 gusht, NOA - Khaled Said nuk është egjiptiani i parë, të cilin policia e rrahu deri në vdekje. Por, për dallim vdekja e tij ka nxitur një revolucion virtual, që po prek të gjitha qelizat e shoqërisë së kontrolluar ashpërsisht nga shteti.

Said, 28-vjeçar, biznesmen, u rrah brutalisht më 6 qershor nga dy policë në uniformë, thonë familja dhe aktivistët. Burimet zyrtare thanë se Said u mbyt ngaqë gëlltiti një çantë me drogë për t’i shpëtuar policisë.

Fotografia e tij pas vdekjes, ku duken shenjat e dhunës, përfshirë dhëmbët e munguar, brinjë të thyera dhe gjak në kokë, qarkullon në internet duke kundërshtuar versionin zyrtar.

Falë rrjeteve sociale si Facebook, apo Twitter një numër i konsiderueshëm egjiptianësh po protestojnë brutalitetin e policisë. Më 27 korrik dy policët që kanë të bëjnë me vdekjen e Saidit, dolën para gjyqit, e nëse dalin fajtorë mund të dënohen deri me 15 vjet burgim.

Ndonëse rrjetet sociale në internet nuk e kanë shpikur kurajën, interneti e ka fuqizuar dhe forcuar zërin protestues të egjiptianëve si kurrë më parë. Një numër faqesh interneti publikojnë dhunën e policisë dhe dëshmitë e viktimave.

Këtë javë një grua e mbuluar akuzoi në televizion dy policë për dhunim dhe grabitje. Rrëfimi i saj është ndër më të shikuarit në YouTube.

Ndonëse kritikët thonë se Facebook-u nuk ka rrëzuar ndonjë diktator në botën arabe, apo Twitter nuk ka ndryshuar ndonjë regjim në këtë pjesë të botës, ka një mënyrë më të mirë për të vlerësuar rrjetet sociale. Rëndësia e tyre më e madhe ka të bëjë me ndikimin që ka te të rinjtë, themeli i popullsisë dhe humbja e kontrollit ndaj tyre nga ana e regjimeve.

Llogaritet se 3.4 milionë egjiptianë janë në Facebook, çfarë e bën Egjiptin vendin me numrin më të madh të përdoruesve në botën arabe dhe të 23-in në nivel global. Rreth 2 milionë përdorues të Facebook-ut në Egjipt janë nën 25 vjeç.

Pasi fotografia e kufomës së dëmtuar të Saidit nisi të qarkullojë në Facebook dhe Twitter, përpara Ministrisë së Brendshme u mbajt protesta më e madhe ndaj brutalitetit policor. Edhe pjesëmarrja e mbi 1000 personave në varrimin e Saidit ishte protestë më vete.

Thirrjes në Facebook e Twitter që të visheshin me të zeza dhe të ecnin në sheshet kryesore të Aleksandrisë, vendlindja e Saidit, në shenjë proteste ndaj vrasjes së tij iu përgjigjën mbi 8000 njerëz. Dyqind e njëzetmijë të tjerë janë mbështetës të faqes në Facebook “Ne jemi të gjithë Khalid Said”.

Qeveria u përpoq ta portretizonte Saidin si një kriminel ordiner dhe përgjigja nga një grup repi, që u postua në internet, ishte e menjëhershme.

“Ata mendojnë se ne jemi budallenj”, thuhej mes të tjerash nga reperët egjiptianë. Rrjetet sociale ndoshta nuk do të rrëzojnë regjime, por rrjetet e tilla i kanë dhënë zë dhe platformë veprimi të rinjve, që për shumë kohë kanë qenë të lënë mënjanë nga regjimet.

NOA/RFE/ "Washington Post"

KOMENTE