Tiranë, 8 gusht, NOA – Në prag të ndeshjes për eliminatoret e eliminatoret e Kampionatit Evropian të Basketbollit, kryeministri Sali Berisha priti sot në mesditë ekipin kombëtar të basketbollit për meshkuj.
Duke shprehur kënaqësinë për një takim të tillë, kryeministri i uroi suksese ekipit tonë kombëtar për ndeshjen e sotme, me shpresën që kjo ndeshje të jetë një start i mirë për ndeshjet në vazhdim.
Kryeministri Berisha, shprehu besimin se ekipi ynë kombëtar i basketbollit do të dijë të japë vlerat më të mira dhe traditen e këtij sporti në Shqipëri.
“Kam besimin, që në këtë kampionat do të shënoni arritje të mëdha. Mënyra serioze me të cilën keni punuar, kombinimi i skuadrës, stërvitja rigoroze janë prerogativa për të patur sukses", tha zoti Berisha.
Shefi i qeverisë i siguroi anëtarët e ekipit se “mbështetja ndaj sporteve është në vëmendjen e qeverisë dhe për këtë”, u shpreh kryeministri “i kam kërkuar vazhdimisht ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve një vëmendje konstante për zhvillimn e sportit në përgjithësi”.
Basketbollistët e ekipit kombëtar e falenderuan kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë, duke e garantuar mikpritësin se do të bëjnë më të mirën për ta përfaqësuar denjësisht basketbollin shqiptar, pse jo edhe për të arritur rezutate të mira të fanellës kombëtare.
Kapiteni i ekipit i bëri kryeministrit Berisha një prezantim të shkurtër të anëtarëve të tij të ekipit, duke bërë të njohur se një pjesë e konsiderueshme e ekipit janë pasardhës të emrave të njohur të basketbollit shqiptar.
Në përfundim të takimit të përzemërt ekipi kombëtar i basketbollit për meshkuj i dhuroi kryeministrit flamurin e federatës shqiptare të basketbollit, një fanellë të ekipit tonë kombëtar si dhe një top basketbolli me firmat e të gjithë pjestarëve të ekipit.
mit/NOA