Nju Jork, NOA - Një nga gazetat më të njohura në botë, “The Wall Street Journal” boton përgjigjen e kryeredakorit të gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Ruben Avxhiu, ndaj opinionit të shkruar nga Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç.
"Në opinionin e datës 28 korrik, "Precedenti shkatërrimtar i Kosovës”, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremic tha se pavarësia e Kosovës vendos një standard të rrezikshëm për mbarë botën. Sipas tij, Prishtina ka hapur “Kutinë e Pandorës” dhe në këtë mënyrë ka krijuar “pasoja të thella problematike për komunitetin ndërkombëtar” sepse duke ndjekur shembullin e Kosovës grupe etnike në mbarë botën do të deklarojnë tani pavarësinë duke kërcënuar kufijtë shtetërorë kudo që të jenë”, ka pohuar Avxhiu.
Sipas tij, këtu nuk kemi asnjë vendosje precedenti; Kosova është rast i veçantë. "Ajo e deklaroi pavarësinë e saj jo si një grup etnik ambicioz por si një komb që ka vuajtur një genocid të parapërgatitur, deportimin masiv, vrasjet masive dhe varfërimin ekonomik në mënyrë të organizuar nga shteti kolonial i Serbisë", ka shtuar gazetari Avxhiu.
Çfarë e bën deklaratën e pavarësisë së Kosovës, të ndryshme nga akte të ngjashme në botë, ai ka theksuar se është fakti se, Serbia nuk ka as aftësinë dhe as dëshirën që ta ri-integrojë atë në gjirin e saj.
"Serbia e ka humbur të drejtën morale që të qeverisë përsëri Kosovën dhe për më tepër Kosova është njohur tashmë si shtet më vete nga shumica e vendeve të rajonit si dhe shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Europian ku rajoni do të bëjë pjesë në të ardhmen.Përkundrazi, duke i refuzuar njohjen shtetit të pavarur të Kosovës do të kemi hapjen e “Kutisë së Pandorës”. Sepse kështu do të krijojmë precedentin e rrezikshëm duke dërguar mesazhin në mbarë botën se mund përpiqesh të bësh genocid kundër një populli dhe gjithësesi të shpëtosh pa u ndëshkuar", ka shtuar në fund kryeredakori i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”.
NOA