English

Ministri Xhaferraj inspekton vijën bregdetare Rradhimë - Orikum

Vlorë, 8 gusht, NOA - Paraditen e së dielës ministri i Turizmit, Ferdinand Xhaferraj me stafin e tij të ministrisë ka vizituar vijën bregdetare Radhimë – Orikum.

I shoqëruar nga deputeti i zonës Ardian Kollozi dhe kryetari i Bashkisë së Orikumit, Kanan Braho, preku nga afër problematikat e investitorëve si dhe u njoh drejtpërsëdrejti me opinionin e turistëve për shërbimet në këtë zonë turistike.

Ministri Xhaferaj cilësoi se ky zhvillim është frut i angazhimeve dhe politikave zhvilluese që ka ndërmarrë qeveria shqiptare e kryesuar nga Sali Berisha.

Sipas Xhaferraj, në krahasim me vitin 2009, sot numri i turistëve të huaj, është rritur me 26%.

Iniciativa e këtij inspektimi ishte dhe takimi me investitorët e bregdetit për të dëgjuar dhe per t’i ardhur në ndihmë problematikave të tyre, pasi cilësia është synimi i turizmit.

“Turizmi është një industri e gjerë, që sa vjen e zhvillohet në Shqipëri”, u shpreh ministri i Turizmit.

Ndalesa e parë për ministrin, ishte plazhi i Radhimës, ku ai kërkoi mendimin e investuesve të kësaj zone.

Një ndër investitorët e zonës, Azem Selmanaj, i shprehu ministrit Xhaferraj, ndryshimin e turizmit shqiptar ndër vite, ku investitori nënvizoi faktin se është hera e parë që një minister vjen personalisht të shohë cilësinë e bregdetit.

Investitori Selmanaj tha se pavarësisht problemeve, që ekzistojnë, qeveria shqiptare është në rrugën e duhur, për një turizëm gjithmonë e më të zhvilluar.

Ministri Xhaferaj nuk la mënjanë në këtë udhëtim në Vlorë, edhe opinionin e turistëve vendas dhe të huaj, të cilët shprehën mendimet e tyre pozitive për rivierën shqiptare.

Mësohet se turistët kanë shprehur se disa prej ndryshimeve, që ata vërejnë këtë vit janë përmirësimi i infrastrukturës përgjatë vijës bregdetare, ndalimi i ndërtesave pa leje si dhe pastërtia e bregdetit.

mit/NOA
KOMENTE