Prishtinë, 8 gusht, NOA – Në pritje të vendimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në 14 shtator, autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar 135 njohje të reja të Kosovës, që do të vijë si rezultat i mendimit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.
“Pa përjashtim çdo shtet, me të cilin kam kontaktuar këto ditë, dhe kanë qenë me dhjetëra, e kanë ndryshuar qëndrimin rrënjësisht, sepse janë pikërisht ato shtete, që para GJND-së në vazhdimësi na kanë thënë se preferojnë të presin mendimin e GJND-së, pastaj do të vendosin për njohje dhe shumë shpejt do të shihni fillimin e njohjeve të reja”, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni.
Mendimi pozitiv i GJND-së për pavarësinë e Kosovës u cilësua që në krye të herës një fitore e madhe dhe legjitimim ndërkombëtar i statusit të Kosovës.
Por, duke iu referuar faktit që pas mendimit të GJND-së, nuk është shënuar asnjë njohje e re, nënkryetari i Aleancës “Kosova e re”, Ibrahim Gashi, theksoi se “Duhet të krijohet një ekip shumë më i gjerë dhe shumë më gjithëpërfshirës për lobim në vende veç e veç dhe, natyrisht, një ekip i personaliteteve ndërkombëtare, që do të punonin në Nju-Jork në vigjilje të sesionit të ardhshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”.
Sipas tij, “Kjo, duhet realizuar duke iu referuar kompleksitetit të debatit në OKB, ku marrin pjesë 192 shtete, ose delegacione, se edhe po t’i heqim ata, që e kanë njohur Kosovën prapë mbesin afërsisht 120”.
Kritika Qeverisë së kosovës, për punën e bërë deri më tani në rrafshin diplomatik i janë adresuar edhe nga Partia Social-Demokrate, e cila nënvizoi se “Qeveria e Kosovës dhe diplomacia e saj nuk ka arritur ta përdorë mendimin e GJND-së si argument të fortë diplomatik për të ndikuar në mënyrë të shpejtë në shtimin e njohjeve. Prandaj, Qeveria duhet t’i shtojë angazhimet në rrafshin diplomatik duke kërkuar nga përkrahësit e pavarësisë që të ushtrojnë ndikimin diplomatik te vendet që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.
Deri më tani Kosovën e kanë njohur 69 shtete, ndërsa vetëm në javën e ardhshme, pritet ta njohin edhe 10 shtete të tjera, mes të cilëve Pakistani e Indonezia.
Edhe pse Serbia, ka dërguar një projektrezolutë në Kombet e Bashkuara, me të cilën synon, fillimin e bisedimeve për statusin, duke anashkaluar mendimin e GJND-së, statusi i Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, tashmë konsiderohet i zgjidhur nga vendet e perëndimit, dhe BE, e cila pas GJND-së, pret efektet pozitive mbi pavarësinë e Kosovës, që lidhet me shtimin e njohjeve të reja të statusit të saj, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.
mit/NOA