Orikum, 8 gusht, NOA – Flakët e zjarrit kanë përfshirë mesditën e sotme hyrjen e qytezës turistike të Orikumit.
Korrespondenti i agjencisë NOA në bazë të informacioneve të mbledhura tha se zjarri i ndezur nga nga persona ende të paidentifikuar u përhap me vështirësi edhe i favorizuar nga era që frynte, duke vënë në rrezik edhe disa banesa e hotele fare pranë urës në hyrje të Orikumit.
Fatmirësisht ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikësve ka bërë, që zjarri të vihet nën kontroll dhe pjesa më e madhe e flakëve të tij të fiken duke shëtuar kështu ndërtesat e banesat, që përdoren për turistët.
Si rezultat i flakëve janë djegur disa sipërfaqe me shkurre e pemë, buzë rrugës nacionale, në hyrje të qytezës dhe reja e tymit ka mbuluar këtë zonë për disa orë të mesditës.
Sipas policisë nuk janë shënuar dëme materiale apo të lënduar, ndërkohë që uniformat blu po hetojnë zjarrvënien.
Nga hetimet e deritanishme mendohet se zjarrvënia është bërë me qëllimin për të djegur shkurret në një hapësirë toke private, që gjendet buzë rrugës nacionale.
Orikumi ka vuajtur shpesh zjarrvëniet gjatë viteve të fundit.
Verën e shkuar zjarret në këtë zonë shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale, ndërkohë, që dy vjet më parë u dogjën mjaft banesa e hektarë të tëra toke të mbjellë, nga një zjarrëvënie e qëllimshme në zonën e fshatit Dukat, përgjegjësit e të ciës, barinjtë vendas u ndëshkuan.
mit/NOA