English

Pakistan, përmbytjet më të rënda në historinë e vendit, të prekur 15 milionë pakistanezë

Pakistan, 8 gusht, NOA – Rreth 15 milionë banorë janë nga përmbytjet e ditëve të fundit në Pakistan, të cilësuara si më të rëndat në historinë e këtij vendi.

Sipas autoriteteve pakistaneze situata mbetet e rrezikshme përgjatë lumit Indus, ku niveli i ujit rritet me shpejtësi. Reshjet e shiut në vijim kanë penguar misionet e shpëtimit për evakuimin e banorëve të përmbytur.

Meteorologët parashikojnë reshje të dendura shiu edhe në ditët e ardhshme.

Ushtria arriti të evakuojë dhe largojë përdrejt zonave të sigurta mijëra vetë nga provincat Punjab dhe Sindh.

Sipas zëdhënësit të ushtrisë pakistaneze që drejton operacionin e evakuimit të banorëve, masat e mëdha të ujit në këto zona kanë çarë shumë diga mbrojtëse.

Ndërsa i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Jean-Maurice Ripert, deklaroi se përmasat e dëmeve janë shumë më të mëdha nga sa vlerësohej.

“Nuk është e mundur të gjesh në kujtesë një dramë të ngjashme. Këto janë përmbytjet më të rënda në historinë e Pakistanit”, theksoi Ripert.

Duke iu referuar luftimeve të një viti më parë i dërguari i OKB-së, Jean-Maurice Ripert, tha se “këto përmbytje pasojnë një tjetër katastrofë humanitare: të mos harrojmë, që vitin e shkuar, në të njëjtën periudhë, kishim tre milionë të zhvendosur brenda vendit, për shkak të luftimeve mes militantëve dhe ushtrisë pakistaneze. Pra flasim për një katastrofë pas katastrofës”, konstatoi Ripert.

mit/NOA

KOMENTE