English

PS: Ligj organik jo vetëm për Presidentin, por edhe për Kuvendin

Tiranë, 8 gusht, NOA – Sekretari për Çështjet ligjore dhe Koordinimin në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, ka deklaruar sot në një intervistë për mediat se sulmi i selisë blu ndaj Presidentit të Republikës, është tërësisht politik dhe erdhi pikërisht pas replikës së Presidentit me kryeministrin Berisha, se nëse projektligji për Shërbimin Informativ Shtetëror do të miratohej, presidenti do ta kthente mbrapsht.

Sipas Xhafajt, ky sulm mund të përmbajë nën rrogoz edhe një luftë të brendshme në PD, sa i përket katër kandidaturave për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese.

Duke iu referuar propozimit të LSI-së, mbi krijimin e një ligji organik për institucionin e Presidentit, deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj tha se ky propozim bëhet në këtë moment pikërisht për t’i ushtruar presion, Presidentit për hapat e mëtejshëm që ai do të hedhë në të ardhmen, si përsa i përket anëtarëve të GJK-së dhe GJL-së, si dhe në dekretimin e një sërë ligjesh të rëndësishme, siç është edhe ai për SHISH-in.

Ndërsa lidhur me reformën zgjedhore pas dekretimit së shpejti nga Presidenti i datës për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, Fatmir Xhafaj gjatë konferencës theksoi se për socilistët nuk mund të ketë reformë pa u zbardhur e vërteta e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke nënvizuar se opozita është e gatshme që me këtë logjikë të ulet në tryezë me mazhorancën.

Kemi patur përplasje ditët fundit midis Presidentit dhe PD-ke. Sipas PD-së Presidenti ka shkelur Kushtetutën duke mos emëruar kreun e Gjykatës Kushtetuese. Në fakt nga këndvështrimi i PS ka shkelje kushtetuese? A kemi një ngërç në Gjykatë Kushtetuese për sa kohë kreut të saj i ka mbaruar mandati?

“Së pari më duhet të them që ky është një sulm me frymëzime dhe me qëllime të përcaktuara politike. Është goditja e radhës nga jeniçerët e përdorur të pallatit blu, nga goditjet e tyre të pa principata ndaj institucioneve kushtetuese, institucioneve të pavarura. Janë, në vlerësimin tim, zakonisht të njëjtët individë që kanë pranuar vullnetarisht të përdoren si jeniçer të fjalës dhe qëllimit të keq në luftën ndaj institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura”, theksoi sekretari i PS-së, Xhafaj.

Fatmir Xhafaj nënvizoi se “Mendoj se është i turpshëm gjithë ky arsyetim që bëhet, për një arsye shumë të thjeshtë. Kanë kaluar dy muaj nga mbarimi i Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Ishin të gjitha mundësisht që këta ekspertë, këta juristë, këta politikan të mazhorancës të llogarisnin kohën e nevojshme që duhej për të bërë një veprim të tillë. Pse pikërisht u la dy muaj pa thënë asnjë fjalë, pa asnjë lloj reagimi? U la pikërisht pasi ishte mbyllur sesioni parlamentar, jo rastësisht në vlerësimin tonë”.

Sipas zotit Xhafaj ky sulm përkoi “së pari me momentin e reagimit të Presidentit ndaj ligjit të SHISH-it dhe faktit se ai la të kuptohej se nëse ky ligj do të miratohej ai do ta kthente mbrapsht”.

“Së dyti lidhet me faktin se janë kthyer disa kandidatura dhe nuk janë pak, në Gjykatën Kushtetuese janë vetëm 4 kandidatura për tu risjellë në parlament. Pra është edhe një lloj paralajmërimi për to”, tha Xhafaj.

Sipas tij, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese është një figurë administrative në drejtimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Siç ndodh në çdo organ administrativ ai nuk mund të largohet pa ardhur zëvendësuesi. Pra ka vazhdimësi në veprimin administrativ të Gjykatës Kushtetuese . Ajo që duhet të shqetësonte mazhorancën dhe cilindo është vakumi, problematika, që ka lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë”, shtoi zoti Xhafaj për gazetarët.

Ai nënvizoi se “sulmi bëhet për të goditur në këtë moment Presidentin e Republikës në funksion të betejës politike, në funksion të qëllimeve e interesave që ka dyshja Berisha-Topalli për të konsoliduar pushtetin e tyre personal. Jo thjesht dhe vetëm brenda mazhorancës, sepse kjo është e ditur dhe është një tregues i betejës brenda mazhorancës, por edhe për të zgjeruar dhe forcuar pushtetin e tyre personal ndaj institucioneve kushtetuese”. Megjithatë LSI dhe PD kanë interpretuar se është e nevojshme një ligj organik për mënyrën sesi duhet të funksionojë institucioni i presidenti. Një propozim ky që në vitin 2008 është shtruar nga ju. A jeni dakord?

“Dy apo rreth tre vjet më parë unë kam artikuluar një qëndrim të tillë, qëndrim të cilit vazhdoj t’i qëndroj. Por, në kontekstin e asaj që është përdorur nga ana ime, që ka qenë domosdoshmëria e respektimit dhe zbatimit të Kushtetutës në mënyrë, që ashtu siç është parashikuar në Kushtetutë, çdo organ kushtetues, institucion kushtetues të ketë ligjin e vetë të organizimit dhe funksionimit të tij”, tha Xhafaj.

Sipas tij, propozimi i tij i para dy viteve ka qenë në funksion të forcimit pavarësisë, të konsolidimit të rolit dhe funksionit të këtyre institucioneve, ndërsa propozimi i ndërkohshëm është në funksion të qëllimit të keq të kapjes së këtyre institucioneve, dhe kjo është diferenca, tha Xhafaj.

Xhafaj duke iu referuar një propozimi të tillë nga ai vetë tha se “PD nuk e mbështeti më parë propozimin për një ligj organik për presidentin pasi “në ato momente ata vazhdonin ta konsideronin Presidentin e Republikës nënkryetar të PD-së. Kjo, sepse përballë zonja Topalli ka pasqyrën e saj. Siç e shikon veten përditë jo si Kryetare e Kuvendit, por si nënkryetare e PD-së në drejtimin e Kuvendit, ashtu e mendon edhe institucionin e Presidentit dhe çdo institucion tjetër të pavarur në këtë vend. Ndaj ata heshtën, sepse mendonin se do ta kishin nën kontroll institucionin e presidentit dhe jo presidentin në vetvete, por vendimmarrjet e rëndësishme që ka në dorë Presidenti i Republikës”.

“Ky propozim bëhet në këtë moment pikërisht për t’i ushtruar presion, është paralajmërim për Presidentin e Republikës për hapat e mëtejshëm që ai do të hedhë, është një formë presioni”, paralajmëroi Xhafaj.

Sipas tij, “Para se zotërinjtë e PD-së të flasin për një ligj organik për institucionin e Presidentit, i cili në parim nuk ka pse të kontestohet, duhet të kthejnë mbrapsht ato që kanë bërë në Rregulloren e Kuvendit”.

“Do të duhet që të propozojnë një ligj organik jo vetëm për institucionin e presidentit por edhe për institucionin e Kuvendit, legjislativin. Ajo, që është më shumë e rëndësishme, është se duhet ta shohin këtë si pjesë të nj reforme tërësore kushtetuese, që lidhet me fuqizimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese në respekt të ligjit dhe natyrisht në funksion të nevojës për të thelluar reformën në drejtësi”, vijoi më tej deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj. Për pak kohë pritet që Presidenti të dekretojë datën e zgjedhjeve të ardhshme lokale. A mendoni se ka kohë për një reformë zgjedhore të ndershme, funksionale në këtë stad që jemi?

Lidhur me këtë pyetje Fatmir Xhafaj tha se “për ne nuk mund të ketë reformë pa u zbardhur e vërteta, cilat janë problemet, pse kanë ardhur këto probleme dhe çfarë duhet bërë për të mos i patur më ato probleme”.

“Ne jemi të gatshëm, që me këtë logjikë të ulemi e të ecim përpara. Në të kundërt çështja e imazhit të vendit është shumë e diskutueshme, jo për fajin tonë. Për fajin e zotit Berisha dhe për fajin dhe përgjegjësinë e zonjës Topalli”, deklaroi zoti Xhafaj.

Sipas deputetit selisë rozë, janë kryeministri Berisha dhe kryeparlamentarja Topalli dy njerëzit që kanë marrë peng të vërtetën, demokracinë në këtë vend.

“Ne duhet t’ua heqim nga duart të vërtetën dhe t’ja japim publikut, qytetarëve të këtij vendi”, apeloi nga selia rozë në një intervistë me gazetarët, sekretari për Çështjet ligjore dhe koordinimin në PS, Fatmir Xhafaj.

mit/NOA
KOMENTE