Saksoni, 8 gusht, NOA – Pritet që vërshimi i ujit, që përmbyti rëndë pjesën lindore të Gjermanisë të marrë me vete sot edhe landin e Brandenburgut.
Vërshimi i ujit preku fillimisht kufirin mes rajonit të Saksonisë dhe Polonisë.
Shtabi i ngritur për përballimin dhe vënien në kontroll të kësaj përmbytjeje të rëndë në qarkun Spre – Neise po merr masat e nevojshme për kontrollin e nivelit të ujit në lumin Spre, që pritet të rritet në dy ditët në vijim.
Reshjet e dendura të shiut dhe çarja e një dige në liqenin Vitka në kufi me Poloninë, shkaktuan ngritjen e nivelit të lumit Neise mbi shtatë metra, ndërkohë që niveli normal i tij është 1,7 metra.
Sipas qendrës lokale përgjegjëse, ky është niveli më i lartë i ujit që prej vitit 1912.
Nga përmbytjet janë prekur edhe vendet fqinje Polonia dhe Çekia.
Deri tani numri i viktimave nga përmbytjet ka mbërritur në 8 vetë.
Nga përmbytjet në Saksoni humbën jetën tre banorë, pasi masat e ujit i zunë në befasi në bodrumin e shtëpisë. Meteorologët kanë paralajmëruar reshje të reja shiu në këtë rajon.
mit/NOA