Prishtinë, 8 gusht, NOA – “UNMIK-u do të vazhdojë të punojë në kuadër të mandatit të tij, në Kosovë, që vjen nga Këshilli i Sigurimit, derisa KS të vendosë ndryshe”.
Kështu ka deklaruar zëdhënësi i këtij misioni, Rasëll Gik, duke nënvizuar se “ajo që kemi dëgjuar në seancën e fundit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, ishte një mbështetje për punën tonë nga anëtarët e këshillit. Zhvlerëësimi i Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit, mbi të cilin bazohet puna e UNMIK-ut, u kërkua rishtas rishtas nga Prishtina zyrtare, përmes ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni.
Sipas Gik, pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili flet edhe për Rezolutën 12 44, duket të jenë shkaktuar disa paqartësi lidhur me masat ligjore, që mund të ndërmerren për ta larguar UNMIK-un nga Kosova dhe për t’i dhënë fund rezolutës 12 44.
Sipas UNMIK-ut, veprimi i diplomacisë kosovare u quajt i gabuar, pasi në mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është konsumuar Rezoluta 12 44.
Në këtë çështje opozita në Kosovë, vlerëson se Prishtina zyrtare, që nga procesi në GJND-së duhet ta injorojë rezolutën 12 44, e të veprojë si shtet.
Këtë e thekson sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, i cili ndër të tjera sugjeroi se “Prishtina zyrtare duhet të shfrytëzojë sesionin e 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të aplikuar për anëtarësim në OKB”.
Sipas Ramadanit, Kosova nuk duhet të vendoset në pozicion mbrojtës për të filluar debatin, pasi rezoluta 12 44 nuk është më fuqiplotë dhe Kosova duhet të jetë në ofensivë në këtë drejtim.
Pavarësisht karakterit këshillëdhënës të mendimit të GJND-së, i cili nuk detyron asnjërën palë për veprime të caktuara, analistët në Prishtinë thonë se Kosova do të duhej të përfitonte nga vlerësimet e trupit më të lartë të drejtësisë në botë.
Analisti Halil Matoshi, duke iu referuar mbledhjes së Këshillit të Sigurimit në vjeshtë beson se “Asambleja e Përgjithshme do t’u bëjë kërkesë Serbisë dhe Kosovës, që të bisedojnë për çështje të kufijve, të krimit të organizuar, luftimin e trafikimit dhe çështje të tjera me interes reciprok.
Rezoluta 12 44 e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, u miratua më 10 qershor të vitit 1999.
Gjatë dhënies së mendimit të Gjykatës së Hagës, thuhet shprehimisht se “qëllimi i dokumentit në fjalë ishte krijimi i një regjimi të përkohshëm e të jashtëzakonshëm juridik, që synon stabilizimin e Kosovës dhe si i tillë, është projektuar për ta bërë këtë në një bazë të përkohshme.
Në këtë kontekst bazohen autoritetet e Kosovës, për zhvlerësimin e kësaj rezolute në përputhje me realitetin e ri të shtetit të Kosovës.
mit/NOA