English

2011 sjell Kampionatin Botëror të Vrapit Malor në Liqenin Artificial të Tiranës

Tiranë, 9 gusht, NOA - Viti 2011 shënon mbajtjen për herë të parë në Shqipëri të Kampionatit Botëror të Vrapit Malor, që do të zhvillohet në 11 shtator të vitit të ardhshëm, me një aktivitet të vetëm.

Duke falenderuar inisiativën e kampionit botëror të atletikës, rusit Sergey Bubka, i cili bëri të mundur vënien në jetë të këtij kompeticioni botëror në Shqipëri, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ferdinand Xhaferraj priti në zyrën e tij, Presidentin e Federatës Botërore të Atletikës, Bruno Gozzelino, pas vizitës së tij të mëparshme në qershor.

Sipas burimeve nga MTKRS-ja, aktualisht kanë mbërritur në Shqipëri një grup teknikësh për të studiuar terrenin ku do të zhvillohet gara.

Ministri i Turizmit dhe Sporteve, theksoi se “Ajo që ka një rëndësi të madhe në zhvillimin e kësaj gare është fokusimi te turizmi shqiptar, pasi gara do të ndiqet me helikopter gjatë gjithë kohës nga 60-70 vende anëtare dhe publiku do të jetë shumë i gjerë”.

Ndjekja nga e gjithë bota e kampionatit botëror të vrapimit malor do t’i japë një mundësi më shumë integrimit të Shqipërisë në Federatat Botërore sportive.

Ministri Xhaferraj, ka garantuar se aktiviteti do të mbështetet edhe nga ana e kryeministrit.

Federata Botërore duke parë integrimin e shtetit shqiptar në fushën e sportit mori vendimin, që Shqipëria të ketë shansin për të zhvilluar Kampionatin Botëror për tu promovuar njëkohësisht në të gjitha vlerat kulturore dhe turistike.

Më 5 shtator të këtij viti në Slloveni zhvillohet kongresi i radhës, ku kalon dhe buxheti për zhvillimin e Kampionatit në Shqipëri.

Mendohet, që gara do të zhvillohet në liqenin artificial të Tiranës, pasi ai sipas ekspertëve të atletikës përmbush kushtet e lartësisë.

Liqeni artificial do të jetë edhe sheshi kryesor i takimeve.

Ministri Xhaferraj e vlerësoi shumë iniciativën, që ka ndërmarrë Federata Kombëtare e Atletikës për zhvillimin e këtij kampionati në Shqipëri, ku shprehu njëkohësisht mbështetjen e tij, dhe falenderimin e veçantë kushtuar të madhit të atletikës botërore Sergey Bubka, që bëri të mundur realizimin dhe planifikimin e kampionatit botëror të vrapit malor, i cili do të zhvillohet brenda një dite, më 11 shtator të vitit 2011.

mit/NOA

KOMENTE