English

Aeroporti i Prishtinës: Këtë korrik 20 mijë udhëtarë më shumë se vjet

Prishtinë, 9 gusht, NOA - Vetëm gjatë muajit korrik një bum udhëtarësh në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, plot 20 mijë udhëtarë më shumë se në të njëjtin muaj të vitit 2009, apo 13 përqind udhëtarë më shumë se korrikun e vjetshëm.

Burime nga zyra e shtypit pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, konfirmuan për agjencinë NOA se në këtë aeroport kanë kaluar më shumë se 170 mijë udhëtarë, nga 151 mijë, që ishte numri i udhëtarëve në korrik të vitit të shkuar.

Sipas të njëjtave burime në total gjatë këtij viti brenda 7 muajve nëpër ANP kaluan 728 mijë udhëtarë apo gati 10 përqind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Drejtori Menaxhues i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Agron Mustafa tha për agjencinë NOA se “Arsyeja kryesore për shtimin e numrit të udhëtarëve qëndron në rritjen e kapaciteteve nga ana e aeroportit dhe shtimin e konkurrencës mes kompanive të fluturimit. Kjo gjë ka sjellë edhe uljen e çmimit të biletave”.

Sipas Mustafës, secili qytetar i Kosovës, që ka udhëtuar këtë vit me avion për në destinacionet e kërkuara mund të bëjë dallimin në çmimin e biletave, që kanë blerë sivjet në krahasim me vitin e kaluar.

“Jemi të kënaqur që angazhimi ynë për të sjellë kompanitë më të njohura të fluturimit, që operojnë me çmime të ulëta është reflektuar në çmimet e biletave”, theksoi Drejtori Menaxhues i Aeroportit Ndërkobmëtar të Prishtinës, Agron Mustafa.

Gjatë vitit 2009, deri në muajin korrik në ANP kishin kaluar 666 mijë udhëtarë, ndërsa këtë vit numri total për këtë periudhë është 728 mijë, apo një diferencë prej 62 mijë udhëtarësh.

Në përqindje rritja vjetore e numrit të udhëtarëve për periudhën 7 mujore është 9.24 përqind.

Përveç numrit të udhëtarëve, rritje të konsiderushme kanë pasur edhe fluturimet e kompanive të ndryshme ajrore.

Sipas të dhënave zyrtare gjatë periudhës 7 mujore 2010 në ANP u realizuan 3 mijë e 400 fluturime, nga 3.150, që ishin realizuar në periudhën përkatëse të vitit 2009, apo një rritje prej 7.5 përqind e numrit të fluturimeve.

Aktualisht në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës përveç kompanive të njohura tradicionale si British Airways, Austrian Arilines, Turkish Airlines, Swiss, Malev, Croatia Airlines, Adria Airways etj, kanë filluar të operojnë edhe kompanitë e mirënjohura për çmimet e lira apo siç quhen ndryshe “Low Cost”, të tilla si Easy Jet, Airberlin etj.

Sipas informacioneve interes së fundmi për të fluturuar nga aeroporti i Prishtinës ka paraqitur edhe kompania e njohur gjermane Lufthansa.

mit/NOA

KOMENTE