Gjirokastër, 9 gusht, NOA – Një 47 vjeçar nga Tirana, ka gjetur vdekjen dje pas përplasjes fatale me një Benz, ndërsa po tentonte të kalonte në segmentin rrugor Gjirokastër – Tepelenë, për t’u ngjitur në autobusin e linjës Tiranë-Athinë.
Burime nga Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës thanë për agjencinë NOA se njoftimin për aksidentin me pasojë vdekjen e një këmbësori e morën përmes një telefonate të mbërritur dje rreth orës 09.00, të mëngjesit përmes një telefonate të mbërritur në sallën operative.
Burimet nga policia konfirmuan se aksidenti kishte ndodhur në aksin rrugor Gjirokastër -Tepelenë, poshtë fshatit Shtëpëz të rrethit Gjirokastër.
Një automjet tip Benz me targë TP 28 02 B, me drejtues 29 vjeçarin Dino Dine, nga fshati Hormovë i rrethit Tepelenë, që lëvizte nga Tepelena drejt Gjirokastrës përplasi për vdekje 47 vjeçarin Përparim Hodo, i lindur në Skrapar dhe banues në Tiranë, i cili po tentonte të kalonte rrugën nga krahu i poshtëm në të sipërm, por që s’mundi dot pasi u përplas në mënyrë fatale me automjetin në fjalë.
Si pasojë e kësaj përplasjeje shtetasi Përparim Hodo ka gjetur vdekjen e menjëhershme. 47 vjeçari Përparim Hodo , ishte pasagjer në një autobus të linjës Tiranë-Athinë dhe po udhëtonte nga Tirana për në Athinë.
Në bazë të informacioneve nga udhëtarët e pranishëm në këtë ngjarje, autobusi kishte ndaluar pranë një lokali për të kryer veprimet e mëngjesit.
Shtetasi Përparim Hodo kishte lëvizur me këmbë nga njëri krah i rrugës në tjetrin për nevoja personale dhe kur po kthehej për t’u ngjitur në autobus, kishte kaluar rrugën nga krahu i poshtëm në krahun e sipërm, ku dhe është përplasur fatalisht me automjetin benz.
Nga veprimet e para hetimore të kryera nga Grupi hetimor në vendngjarje si dhe bazuar në dëshmitë e marra në vendngjarje nga dëshmitarët okularë, ka rezultuar se shkaku i përplasjes me pasojë vdekjen e shtetasit Përparim Hodo “pakujdesia e viktimës për të kontrolluar rrugën, duke i prerë rrugën drejtuesit të automjetit, që i ka shkaktuar më pas vdekjen e menjëhershme pas përplasjes.
Sipas policisë drejtuesi i automjetit nuk ka lëvizur nga vendngjarja dhe është shoqëruar në ambjentet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut për veprime të mëtejshme, ku është arrestuar për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
Grupi hetimor po vazhdon veprimet në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Gjirokastrës për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
mit/NOA