Korçë, 9 gusht, NOA – Forcat e policisë së Korçës kanë arrestuar sot në flagrancë një person të shpallur në kërkim, Elvir Haxhia, 23-vjeç, banues në fshatin Pojan të këtij qyteti, i dënuar më parë për veprën penale të “Vjedhjes”.
Siç bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA, ai ka patur lidhje të ngushtë shoqërore me 3 të arrestuarit në prill për vrasjen e Nexhat Gegas në fshatin Pojan, por edhe autor i një serie veprash të tjera penale të rënda.
Gjatë arrestimit të bërë, në ambjentet e banesës, të ndaluarit i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa celularë, kasetofonë të ndryshëm makine, dy qese plastike me përmbajtje lënde me formë pluhuri, e dyshuar si lëndë eksplozivi (amonit), si dhe disa fishekë luftarakë të kalibrit 7.62 mm.
Ndërkaq, prokuroria e Korçës ka filluar në ngarkim të të ndaluarit të mësipërm, procedimin penal për veprën penale të “Vjedhjes së kryer në bashkëpunim” si dhe për atë të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”, vepër penale e parashikuar nga neni 134/2 dhe 278/2 i Kodit Penal.
n.e/NOA