English

Berisha investitorëve malajzianë: Paratë tuaja, sillini në Shqipëri

Tiranë, 9 Gusht, NOA – Kryeministri Berisha priti sot në një takim, përfaqësues të kompanisë malajziane, “Malajzian Mining Coorporation”, MMC.

Burimet pranë takimit bëjnë me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA se përfaqësuesit e kompanisë malajziane e falënderuan kryeministrin për pritjen dhe u shprehën se janë rezultatet e publikuara së fundmi mbi ekonominë shqiptare dhe performanca e saj që kanë bërë që kompania e tyre të marrë vendimin për të shtrirë investimet në Shqipëri.

Ata shprehën interesin për të investuar në sektorin energjetik dhe atë të infrastrukturës, përfshirë atë rrugore e portuale.

Nga ana e tij, kryeministri Berisha i falënderoi për projekt idetë e propozuara dhe bëri një panoramë të potencialeve të mëdha të Shqipërisë dhe të mundësive për investim si në sektorin e energjetikës, turizmit dhe infrastrukturës.

Gjatë bashkëbisedimit, ai i siguroi investitorët malajzianë se në Shqipëri do të gjejnë një klimë të favorshme për bizneset e huaja, barrën fiskale më të ulët në Evropë si dhe i garantoi ata se do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë dhe strukturave të saj në përputhje me legjislacionin shqiptar, për ti çuar drejt suksesit projektet e tyre.

n.e/NOA

KOMENTE