Nagasaki, 9 Gusht, NOA – Ndërsa para katër ditësh, bota i ka mbajtur sytë nga Hiroshima, në përkujtim të 65-vjetorit të sulmit me bombë atomike ndaj saj, dje ka qenë Nagasaki, qyteti i radhës ku është mbajtur një minutë heshtje për të neruar viktimat e sulmit të dytë me bombë atomike.
Nagasaki, qyteti i dytë japonez, i cili u bombardua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 9 gusht 1945, zhvilloi një ceremoni të posaçme, ku pak pas orës 11, me orën lokale, koha kur shpërtheu bomba mbi Nagasakin, shumë njerëz mbajtën një minutë zi në të gjithë vendin.
Nga hedhja e dy bombave atomike amerikane humbën jetën në Japoni disa qindra mijëra vetë dhe menjëherë pas shpërthimit, mijëra të tjerë u përballën me pasojat e rrezatimit atomik.
Konkretisht, ishin rreth 80 mijë njerëz që u vranë në sulmin në Nagasaki, ndërsa rreth 140 mijë vetë u vranë apo vdiqën brenda disa muajve në Hiroshimë.
Ndërkaq, Japonia e cila bënte pjesë në kampin fashist të luftës, kapitulloi disa ditë pas sulmit në Nagasaki, duke i dhënë fund kështu Luftës së Dytë Botërore.
n.e/NOA