Durrës, 9 gusht, NOA – Tentoi të kalonte kufirin shqiptar përdrejt Italisë me dokumente të falsifikuara, ndalohet kosovarja.
Një 35 vjeçare me iniciale A.Rr, banuese në fshatin Prilep të Deçanit në kosovë, është ndaluar nga policia kufitare e Portit të Durrësit, më 7 gusht.
Burime nga policia thanë për agjencinë NOA se në këtë datë nisën procedimin në gjendje të lirë të 35 vjeçares nga Kosova, pasi rreth orës 01.00 pas mesnatës së datës 7 gusht, ajo u kap duke tentuar të kalonte kufirin.
Policia kufitare arriti ta zbulojë gjatë përpunimit të të dhënave personale të pasagjerëve, mes të cilëve ndodhej edhe 35 vjeçarja nga Kosova, e cila po tentonte të udhëtonte drejt brigjeve italiane me tragetin e linjës Durrës - Bari, duke përdorur si mjet identifikimi për këtë udhëtim një pasaportë jugosllave dhe një leje qëndrimi gjermane, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.
Policia ka sekuestruar dokumentet e saj duke ia deleguar ato për ndjekje të mëtejshme prokurorisë së Durrësit.
mit/NOA