English

Gjirokastër, kapet një makinë e vjedhur jashtë, në pranga drejtuesi, në kërkim trafikanti nga Tirana

Operacioni i Koduar “Makina Luksoze”, arrestohet një shtetas nga Lazarati, sekuestrohet një automjet i vjedhur, prodhim i viteve të fundit.

Gjirokastër, 9 gusht, NOA - Në vijim të operacionit të Koduar “Makina Luksoze’, të nisur javë më parë ku u sekuestruan 4 automjete luksoze dhe u arestuan 3 shtetas, ndërsa një tjetër ndiqet në gjendje të lirë, operacioni ka vijuar duke zbuluar dhe arrestuar një person nga Lazarati që dispononte një automjet të vjedhur të prodhuar vitet e fundit.

Burime nga drejtoria e Policisë së Gjirokastrës thanë për agjencinë NOA se pas marrjes së informacioneve në rrugë operative oficerët e policisë kanë organizuar shërbimet dhe rreth orës 14.00, në vendin e quajtur Kordhocë, kanë bërë të mundur bllokimin e mjetit tip Volkswagen Touareg me targa GJ 19 34 B, si dhe shoqërimin e drejtuesit të mjetit në ambjentet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër.

Nga kontrolli i dokumentacionit si dhe nga verifikimet e bëra në sistemin ASF2 Interpol, ka rezultuar se ky automjet ishte i vjedhur jashtë shtetit dhe i trafikuar në vendin tonë.

Policia arrestoi drejtuesin e saj, një 54 vjeçar, nga fshati Lazarat, të cilit i jepen vetëm inicialet L. B..

Sipas të arrestuarit të pyetur nga policia, mësohet se ai e kishte blerë këtë automjet nga një shtetas nga Tirana.

Policia ka sekuestruar automjetin bashkë me dokumentacionin që dispononte.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjirokastrës, po punohet tashmë për kapjen e shtetasit nga Tirana, i cili i ka shitur këtë mjet shtetasit të lartpërmendur.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale të trafikimit të mjeteve motorrike.

mit/NOA
KOMENTE