Tiranë, 9 gusht, NOA – Të nxitur nga rezultatet e publikuara mbi zhvillimet në rritje të ekonomisë shqiptare, përfaqësues të kompanisë malajziane, Malajzian Mining Coorporation, MMC kanë mbërritur në Tiranë dhe janë pritur sot nga kryeministri Sali Berisha.
Përfaqësuesit e kompanisë malajziane e falenderuan kryeministrin për pritjen dhe u shprehën se “janë rezultatet e publikuara së fundmi mbi ekonominë shqiptare dhe performanca e saj, që kanë bërë, që kompania e tyre të marrë vendimin për të shtrirë investimet në Shqipëri”.
Ata shprehën interesin për të investuar në sektorin energjitik dhe atë të infrastrukturës, duke përfshirë infrastrukturën rrugore e portuale.
Kryeministri Berisha duke i falënderuar për projekt idetë e propozuara, u prezantoi investitorëve nga Malajzia një panoramë të potencialeve të mëdha të Shqipërisë dhe të mundësive për investim në sektorin e energjitikës, turizmit dhe infrastrukturës.
Gjatë bashkëbisedimit, Kryeministri i siguroi investitorët malajzianë se në Shqipëri do të gjejnë një klimë të favorshme për bizneset e huaja me barrën fiskale më të ulët në Evropë.
Zoti Berisha i garantoi investitorët se do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë dhe strukturave të saj në përputhje me legjistlacionin shqiptar, për t’i çuar drejt suksesit, projektet e tyre.
mit/NOA