Tiranë, 9 Gusht, NOA – Rënia me gati 20 përqind e prodhimit të grurit në Rusi, për shkak të të nxehtit dhe thatësirës së madhe, duket se i ka dhënë sinjalet e saj të para edhe në Shqipëri.
Kështu, të gjithë thuajse e kanë vënë re, ndërsa kanë shkruar të blejnë bukën e përditshme në dyqane se çmimi i bukës ka ndryshuar me 10 lekë në shumë pika të shitjes së saj.
Një fakt të tillë, drejtuesit e shoqatës së Prodhuesve të Bukës e pranojnë duke e justifikuar me rritjen e çmimit të miellit, i cili përbën në fakt edhe lëndën e parë për prodhimin e bukës, produktit jetësor kryesor të shportës së ushqimeve.
Sipas tyre, nëse 1 kuintal miell deri dje blihej me 4.200 lekë, sot blihet me 5.200 lekë, çka tregon se është bërë një rritje prej 1 mijë lekësh, gjë që pritet të kompensohet pikërisht me shtimin e çmimit të shitjes në çdo produkt buke.
Duket se pasojat e luhatjes së çmimit të grurit në tregjet ndërkombëtare, në vendin tonë, i është shtuar edhe peshës që pati rritja e çmimit të energjisë elektrike, e cila sipas prodhuesve të bukës, ka vetëm një kompensim: rritjen e çmimit të bukës, pasi sipas tyre, nuk po aplikohet ndonjë plan kompensimi nga shteti.
Sipas prodhuesve të bukës, nuk bëhet fjalë për spekulime të tyre, porse vërtet ndihen të detyruar që të ndërmarrin një hap të tillë.
Për të mbijetuar në këtë kohë krize dhe në një biznes që varet gjithmonë nga luhatjet e jashtme të tij, përsa kohë prodhimi vendas i grurit nuk arrin të krijojë pavvarësinë nga jashtë, Shoqata e prodhuesve të Bukës është e mendimit se janë të nevojshme masat e tilla, edhe pse në kurriz të konsumatorit, për të cilat edhe ajo vetë është e vetëdijshme.
Aktualisht në Shqipëri numërohen rreth 2000 prodhues të bukës, të cilët herë pas here kanë bërë luhatje të çmimit të këtij produkti, favorizuar nga kushte të ndryshme.
E këtë herë, zjarret e Rusisë duket se kanë qenë shkaku kryesor i nisjes së një procesi të tillë.
Kjo pasi nga ky vend, i cili është edhe eksportuesi më i madh i drithërave në botë, 20 % e prodhimit total të tyre rezulton i dëmtuar nga të nxehtit, por edhe zjarret që ranë së fundmi atje.
Ka qenë vetë qeveria ruse e cila i ka ndaluar eksportet e grurit, miellit apo elbit dhe misrit, duke kërkuar që të mbahen rezerva për prodhim të brendshëm.
n.e/NOA