English

PS: Deputetja Vokshi të dorëzojë imunitetin dhe të hetohet nga drejtësia

Tiranë, 9 gusht, NOA – Partia Socialiste nuk ka rreshtur denoncimin për korrupsion dhe konflikt interesi të deputetes së Partisë Demokratike Albana Vokshi, duke deklaruar se zonja Vokshi përveç problemit të mosdeklarimit të pasurisë disa milonë dollarëshe të bashkëshortit të saj është e zhytur edhe në një konflikt interesi dhe korrupsioni për të përfituar nga pasuria kombëtare.

Nënkryetarja e grupit Parlamentar Socialist, Vasilika Hysi deklaroi sot se deklarata e pasurisë së Albana Vokshit ka dy probleme të rëndësishme, që janë “mosdeklarimi i pasurisë së njeriut me të cilin bashkëjeton dhe që është njëkohësisht babai i dy fëmijëve të saj, është vetëm problemi i parë. Përdorimi i artificave ligjore për t’u hequr si e varfër, ndërkohë që në realitet është milionere, është një mekanizëm i përdorur gjerësisht nga përfaqësuesit e pushtetit të Berishës. Zonja deputete nuk lexon ose nuk do të lexojë përmbajtjen e deklaratës së pasurisë e cila kërkon të dhëna për pasuri, për personat fizikë dhe juridikë, përfshirë edhe personin e besuar që rezultojnë të lidhur me zyrtarin, që mbart detyrimin për deklarim (ndonëse këto të dhëna konsiderohen konfidenciale në deklaratën e pasurisë)”.

Sipas deputetes Hysi ”problemi i dytë, ka të bëjë me korrupsionin dhe konfliktin e interesit. Fakti që znj.Vokshi shfrytëzoi për vite me rradhë pozicionin e saj si këshilltare e kryeministrit për ekonominë, për t’i dhënë burrit të saj koncesione pa tender, por përmes pikëve bonus të firmosura nga vete kryeministri, siç janë rastet e hidrocentraleve SUHA 2 dhe hidroçentrali mbi lumin Kardhiq”.

”Konflikti i interesit i zonjës Vokshi thellohet edhe me tej, kur kompania në fjalë e bashkëshortit e vlerëson kapacitetin e saj prodhues të naftës dhe gazit në vend në rreth 4 miliardë dollarë. Pra sërish, zonja Vokshi i ka dhënë burrit të saj, një tjetër koncesion, kësaj here me vlerë 4 miliardë dollarë”, tha deputetja socialiste.

Duke iu referuar deklarimit të pasurisë të deputetes Vokshi, nënkryetarja e PS-së, Vasilika Hysi theksoi se “Zonja Vokshi thotë se burri i saj ka një aktivitet ekonomik prej fillimit të viteve 90, por siç tregojnë dokumentet e Qendrës Kombëtare të Rregjistrimit (QKR), të dy kompanitë e Arjan Tartarit të përfshira në veprimtaritë e mësipërme janë krijuar pas vitit 2005, ndërkohë që koncesionet janë marrë në periudhën kur Albana Vokshi ushtronte detyrën si këshilltare e kryeministrit”.

Duke përmendur reagimin më të fundit të deputetes Vokshi, përmes një komunikate me email, deputetja Hysi tha se “zonja Vokshi në fillim duhet të dorëzojë imunitetin për t’i hapur rrugën drejtësisë, e cila qoftë për zonjën Vokshi, qoftë për zotin Prifti, duhet të fillojë hetimet sa më shpejt lidhur me korrupsionin dhe vjedhjen e pasurisë së shqiptarëve”.

Sipas deputetes Vasilika Hysi nëse zonja Vokshi do të vazhdojë të fshihet pas mandatit të deputetes, atëhere nuk ka nevojë për deklaratat e saj reaguese, pasi sipas ligjit akuzat janë automatikisht të vërtetuara.

“Ky është korrupsion i pastër dhe vjedhje e pasurisë kombëtare të shqiptarëve”, përfundoi deputetja e PS-së, Vasilika Hysi.

mit/NOA
KOMENTE