English

Serbia kërkon mbështetje nga Maqedonia për rezolutën mbi Kosovën

Beograd, 9 Gusht, NOA – Serbia po kërkon mbështetje nga Shkupi për Rezolutën e propozuar pranë OKB-së për Kosovën.

Burime pranë ministrisë së Jashtme të Maqedonisë kanë njoftuar për agjencinë e lajmeve INA për përpjekjet serbe nëpërmjet rrugëve diplomatike që të mbështetet rezoluta e tyre.

“Është herët për të pasur ndonjë qëndrim zyrtar se a do të mbështetet kjo rezolutë. Maqedonia ka njohur shtetin e Kosovës para vendimit të GJND-së, andaj vlerësoj se duhet të ndiqet rruga dhe qëndrimet e aleatëve në kuadër të procesit të integrimeve euro-atlantike. Por, megjithatë mbetet një çështje e ndjeshme dhe mund të ketë përmbajtje në votim, për shkak të çështjes delikate që kemi me këto dy vende fqinje”, ka theksuar për agjencinë e lajmeve INA, një zyrtar i Ministrisë së Jashtme në Shkup.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç nëpërmjet një letre drejtuar vendeve anëtare të OKB-së kërkon mbështetje për votimin e rezolutës së propozuar, e cila do të jetë në rend dite gjatë muajit shtator.

Nga ana tjetër, propozim-Rezolutë ka dorëzuar edhe Kosova, e cila kërkon miratimin e një Rezolute të re, që do të zëvendësonte ate 1244 të sjellë më 10 qershor të vitit 1999.

Ish-ambasadori Ognen Maleski ka bërë thirrje për kujdes në sjelljen e ndonjë vendimi rreth kësaj çështje, për shkak se sipas tij, bëhet fjalë për dy fqinjë, me qëllim të shmangies së pasojave eventuale.

NOA-INA

KOMENTE