Himarë-Dhërmi, 10 gusht, NOA, Update – “Ka një rezolutë të Parlamentit Europian. Unë mbetem për zbatimin e saj gërmë për gërme dhe në frymën e saj totale. Rezoluta përcakton qartë se çfarë duhet të hetohet dhe unë i qëndroj plotësisht asaj, i qëndroj plotësisht ligjeve dhe kushtetutës së vendit”.
Kështu ka deklaruar kryeministri Sali Berisha në një konferencë për shtyp nga qyteti bregdetar i Himarës, dhe pikërisht pika turistike e Dhërmiut, ku kryeministri po pushon bashkë me familjen e tij prej disa ditësh.
Duke theksuar se do të zbatoj çdo kërkesë të artikuluar nga Parlamenti Evropian në rezolutën për Shqipërinë, dhe pikërisht sa i përket komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të shkuar, që sollën krizën politike në vend mes mazhorancës dhe opozitës, zoti Berisha deklaroi se “Shqipëria nuk mund të bëhet dhe zhbëhet. Shqipëria bëhet vetëm duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën e saj dhe përmirësuar ato, jo duke i shkelur”.
Duke mos lëshuar pe, sa i përket hetimit të materialeve të votimit, gjë që e mbron në rezolutë edhe PE-ja, kreu i mazhorancës tha nga Dhërmiu, se “Mendoj se rezoluta ka përcaktuar qartësisht hetimin e materialeve të votimit. Dhe nëse e keni ndjekur, ju duhet ta dini ka pasur ndonjë deputet të thekur të majtë që kërkoi më shumë, por 547 deputetë europianë votuan për materialet e votimit, të cilat nuk përfshijnë fletët e votimit. Të gjitha të tjerat, çka është në kuadrin ligjor, çka është në kuadrin kushtetues, qëndroj plotësisht i vendosur të bashkëpunoj me opozitën”, garantoi opozitën kryeministri Berisha.
I pyetur lidhur me propozimin e PS-së, më pas edhe të LSI-së, për hartimin e një ligji organik për Presidentin e Republikës dhe pse jo edhe të një ligji për Kuvendin i propozuar nga deputeti Fatmir Xhafaj, shefi i qeverisë theksoi se “Unë mendoj se ligji themelor i vendit i ka të përcaktuara të gjitha kompetencat, të drejtat e Presidentit të Republikës dhe i ka shumë mirë të përcaktuara. A mund të ketë ligj për presidencën? Shumica e vendeve e kanë. Por, nga ana tjetër, dua të theksoj se detyrimet kushtetuese janë më eprore, se të gjitha detyrimet e tjera ligjore”.
Në këtë kontekst kryeministri nënvizoi se “në qoftë se parlamenti funksionon mbi bazën e një ligji, sepse ka një veprimtari të përditshme, të gjerë, të shumëllojtë, Presidenti funksionon mbi bazën e përcaktimeve kushtetuese. Zbatimi i tyre me korrektesë është ligji më i mirë për presidencën e vendit”.
Sipas kryeministrit bërja e ligjeve është iniciativë e deputetëve.
“Qeveria vetë nuk ka ndërmend të marrë ndonjë nismë, që të bëjë ligjin për presidencën. Kemi axhenda të tjera. Deputetët, po të duan, mund ta bëjnë”, sqaroi zoti Berisha nga Himara.
Por, duke iu referuar zgjedhjeve vendore dhe propozimeve të bëra nga partitë e vogla aleate, shefi i qeverisë, tha se “Unë dua t’ju garantoj se jo vetëm në këto zgjedhje, por, në qoftë se marr në tërësi praktikën time, janë koalicionet dhe gjerësia ndaj kërkesave të partive të vogla. Kështu që, unë mbetem plotësisht i hapur dhe i dëgjoj me shumë vëmendje ato, të të gjithë spektrit, të majta, të djathta. Ato janë pjesë e realitetit shqiptar dhe unë nuk mohoj realitetin”, përfundoi kryeministri.
mit/NOA