English

Berisha nga kalaja e Himarës: Turizmi këtë vit, rritje e papërmbajtshme

Himarë, 10 gusht, NOA – Kalaja e Himarës, një ndër më të vjetrat në vend ka qenë mikpritësja e kryeministri Sali Berisha, dhe e gazetarëve të mbaritur për një konferencë shtypi me kryeministrin.

Një fond prej 1 milion eurosh të derdhura nga Komisionit Europian dhe Qeveria shqiptare, po bëjnë të mundur ndërtimin e sistemit të kanalizimeve, rregullimin e rrugicave të kalldrëmit dhe sistemin e ndriçimit në këtë kala.

Pas vizitës në kalanë e Himarës, kryeministri iu përgjigj interesit të gazetarëve për çështjet më të mprehta gjatë kësaj periudhe, duke i mëshuar fort zhvillimit të turizmit, që kreu i qeverisë e quajti lajtmotiv të vetin në këtë pik sezoni turistik.

“Turizmi është bërë në një kohë të shkurtër, degë ndër më kryesoret e ekonomisë. Gjatë këtij viti, ju më keni dëgjuar disa herë të theksoj rritjen e eksporteve 70-80 përqind, sipas muajit, por dua t’ju them se rritja e turizmit është jashtë të gjitha parashikimeve. Të ardhurat nga turizmi janë sot, të ardhurat më të mëdha dhe që i shkojnë numrit më të madh të qytetarëve të këtij vendi’, deklaroi kryeministri berisha.

Sipas tij, gjatë vitit që shkoi dhe këtij viti, turizmi u rrit me 60 përqind, ndërsa nga viti 2004 gjer në fund të vitit 2009, u rrit 10 herë.

Lidhur me numrin e vizitorëve, zoti Berisha tha se nga 300 mijë vizitorë që Shqipëria pati në vitin 2004, arriti në 3 milion në vitin 2009, por ky numër po rritet me shpejtësi këtë vit.

Duke iu referuar statistikave zyrtare, shefi i qeverisë, tha se “Nga data 31 korrik deri më 8 gusht, në Shqipëri hynë 430 mijë vizitorë, pra, rreth 35 përqind më shumë, sesa në vitin 2004. Vetëm tunelin e rrugës Durrës-Morinë, këto 9 ditë e kanë kaluar në të dy drejtimet, 15 mijë qytetarë më shumë, se gjatë gjithë gushtit të kaluar”.

“Statistika, që unë mora sot, deri në orën 17.00, dëshmojnë se nga 31 korriku gjer sot, kanë kaluar 408 mijë qytetarë, kundrejt 392 mijë që kanë kaluar vjet nga 31 korriku gjer më 30 gusht. Pra, ka një rritje të papërmbajtur, e cila ka edhe arsyet e veta”, tha kryeministri.

Ai ia atribuoi këto arritje infrastrukturës moderne dhe investimeve të mëdha në mbarë vendin.

“Ne kemi shumëfishuar investimet në zonat turistike me dhjetëra e dhjetëra herë, por dua të theksoj se investimi më i madh i bërë në historinë e këtij vendi, rruga e kombit, është shndërruar gjithashtu në një levë arkimedi për turizmin shqiptar. Kjo rrugë po rrit me shpejtësi marramendëse fluksin turistik në të gjithë ultësirën bregdetare dhe bregun e Jonit”, theksoi shefi i qeverisë.

Ai garantoi vendosmërinë e dikasterit të tij që me shpejtësinë më të madhe të kompletojnë të gjithë infrastrukturën e ultësirës bregdetare dhe bregut të Jonit, duke garantuar që vitin e ardhshëm të realizojnë një politikë shumë më agresive, më aktive në drejtim të infrastrukturës së maleve të vendit, të cilat duhet thënë se kanë bukuri mahnitëse.

Duke iu referuar kështjellës së Himarës, që vetë kryeministri e zgjodhi për konferencën për shtyp, zoti Berisha nënvizoi se “Kjo është një nga kështjellat më vjetra të vendit, me fillime në shek e 4-t para krishterimit, e cila ka shërbyer në shekuj e mijëvjeçarë si një mburojë e pamposhtur e kombit shqiptar. Kujtoj këtu se pas rënies së Krujës, Gjon Kastrioti, djali i Skënderbeut, vendosi të bëjë mbrojtjen e trevave shqiptare nga kjo kështjellë. Por kështjella ka edhe diçka tjetër të mrekullueshme, këta qytetarë që banojnë në të. Shikoni si e kanë mbjellë në çdo cep e qoshe të saj, duke e shndërruar kështjellën në një kopsht të vërtetë, me mund sakrifica e vështirësi”.

Shefi i qeverisë siguroi se “Ne do të bëjmë çdo gjë, që trashëgiminë e të parëve tanë ta konservojmë dhe zhvillojmë sa më shumë. Këtu, në bashkinë e Himarës janë bërë dhe po bëhen investime shumë serioze, jo vetëm në kështjellë, por edhe në të gjitha kishat e bukura, të cilat u rrënuan për shkaqet që dihen, por që do të ndërtohen dhe rikthehen siç kanë qenë. I tërë sistemi i kështjellave do të rindërtohet dhe po punohet, në Borsh, Himarë dhe kudo. Kështjellat, vendet me gjetje arkeologjike janë edhe ato të një rëndësie shumë të veçantë për tërheqjen e turistëve”, bëri të ditur zoti Berisha.

Në këtë kontekst, duke iu referuar ndryshimeve të ndodhura në bregun e Jonit, kryeministri i bëri një ftesë opozitës: “Ndaj unë dua t’i ftoj zotërinjtë apo shokët e opozitës ta kritikojnë qeverinë, pasi kjo është detyra e tyre, por të mos mohojnë, sepse nihilizmi në Shqipëri ka një origjinë shumë të keqe. Nihilizmi në Shqipëri shkoi deri në mohimin e zotit. Të mos harrojnë kurrë këtë. Ky është realiteti. Çfarëdo që të shprehësh ti, nuk mund ta ndryshosh këtë realitet. Himara është kjo, me të gjitha këto investime dhe infrastrukturë. Shqipëria është kjo, me të gjitha këto ndryshime”.

I pyetur lidhur me problemet e pronësisë në Jug të vendit, kryeministri Sali Berisha, deklaroi se “Një nga arritjet më të mëdha të qeverisë sime në zonën e bregdetit është se gradualisht po e shpëton nga kthetrat e mafias. Kryetari i bashkisë së Himarës, bashkisë së Orikumit, i bashkisë së Ksamilit, i bashkisë së Sarandës, kryetari i komunës së Lukovës, janë këta që do të bëjnë planet rregulluese, në përputhje me masterplanin e mrekullueshëm”.

Duke iu referuar bregdetit të mrekullueshëm, dhe ndërtimeve pa kriter mbi të, zoti Berisha theksoi se “Mund të dalësh mbi kodër dhe të shikosh sesi Himarës i kanë ‘lidh’ sytë, i kanë zënë pamjen, dy kullat e partisë. Se ç’bëhet me njerëzit pas tyre, këtë e di ai, që u vendosi kullat para. Këto nuk do të ndodhin më”.

“Ka një problematikë toke, që ka të bëjë edhe me çështje të lidhura me ligjin, por të lidhura edhe me Kodin Civil. Qeveria vendore ka bërë propozimet e veta. Pra, problematika këtu është më komplekse për shumë faktorë, por një gjë është e sigurt se ne po përpiqemi dhe do përpiqemi ta zgjidhim, në përputhje me ligjet. Fatmirësisht, me planet rregulluese është krijuar një mundësi e madhe për t’u frenuar ‘pushtimet’ e tokave dhe pastaj një politikë e re urbanistike për të gjithë zonën”, përfundoi kreu i qeverisë.

Zoti Berisha i përshëndeti në fund të konferencës të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të huaj që përzgjodhën Himarën, Sarandën, Vlorën, Divjakën, Golemin, Durrësin, Velipojën, Talen, Valbonën, Thethin, Voskopojën, për të kaluar pushimet e tyre.

mit/NOA
KOMENTE