Teheran, 10 gusht, NOA - Pas sanksioneve që perëndimi vendosi ndaj Iranit, autoritetet në Teheran kanë vendosur, që të pezullojnë shkëmbimet tregtare me euro dhe dollarë, duke përfshirë edhe transaksionet e naftës.
Zv/kryeministri Mohamed Reza Rahimi deklaroi se “nuk do të përdorim euron dhe dollarin në shkëmbimet tregtare, por do të kemi monedhën tonë rial dhe monedhën e çdo vendi tjetër, që do të pranojë kushtet tona”.
“Euro dhe dollari janë para të pista dhe për këtë arsye ne kemi vendosur të mos e shesim naftën me këto monedha”, shtoi zv/kryeministri iranian.
Ai tha se Irani do të kufizojë shkëmbimet tregtare me Bashkimin Evropian, të cilat në 2009-n arritën në 11.4 miliardë euro, duke përbërë 27 përqind të gjithë importeve të Iranit.
Sipas Rahimit kufizimet do të jenë kryesisht në produktet e drithërave dhe sojës.
Irani përballet me sanksionet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për shkak të programit të tij bërthamor.
mit/NOA