Himarë, 10 gusht, NOA – Kryeministri Sali Berisha në një konferencë për shtyp nga qyteti bregdetar i Himarës, ka deklaruar vullnetin e tij politik për t’i qëndruar gërmë për gërmë çdo kërkese të artikuluar në rezolutën e Parlamentit Evropian, lidhur me komisionin hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të shkuar, që sollën krizën politike në vend mes mazhorancës dhe opozitës.
“Rezoluta përcakton qartë se ç’farë duhet të hetohet dhe unë i qëndroj plotësisht asaj. I qëndroj plotësisht ligjeve dhe kushtetutës së vendit”, deklaroi shefi i qeverisë.
Duke folur për situatën politike në vend zoti Berisha, theksoi se “Shqipëria nuk mund të bëhet dhe zhbëhet, pasi Shqipëria ndërtohet vetëm duke respektuar Kushtetutën e saj dhe ligjet, duke i përmirësuar ato dhe jo duke i shkelur”.
Duke mos lëshuar pe sa i përket hetimit të materialeve të votimit, gjë që e mbron në rezolutë edhe PE-ja, kreu i mazhorancës tha nga Himara se “Mendoj se rezoluta ka përcaktuar qartësisht hetimin e materialeve të votimit”.
Duke folur për mediat e pranishme në konferencë kryeministri tha se “nëse e keni ndjekur, ju duhet ta dini, që ka patur ndonjë deputet të thekur të majtë, që kërkoi më shumë, por 547 deputetë evropianë votuan për materialet e votimit, të cilat nuk përfshijnë fletët e votimit”.
Kryeministri Berisha garantoi ndër kaq se “për të gjitha të tjerat, që përfshihen në kuadrin ligjor dhe atë kushtetues, qëndroj plotësisht i vendosur të bashkëpunoj me opozitën”.
mit/NOA