English

Kosovë, KMDLNj mbështet Ligjin për Vlerat e Luftës, kërkon Ligj për ish të Burgosurit Politikë

Prishtinë, 10 gusht, NOA - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë ka përkrahur sot miratimin nga qeveria e Kosovës, të Ligjit për Vlerat e Luftës, me të cilin rregullohet me ligj statusi i ish luftëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës, familjeve të dëshmorëve dhe personaliteteve, që kanë dhënë kontribut të veçantë gjatë luftës së fundit por edhe gjatë periudhës së rezistencës dhe luftës për liri, që nga viti 1945.

Në një komunikatë për mediat KMDLNJ, deklaroi se “Miratimi i këtij ligji është përmbushje e obligimit moral dhe ligjor të Qeverisë së Kosovës ndaj të gjithë atyre, që me sakrificën dhe angazhimin e tyre kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Sipas KMDLNJ, Ligji për Vlerat e Luftës, është një përkrahje e madhe për ata që kanë luftuar, e kanë ndihmuar luftën, pjesa dërrmuese e të cilëve para miratimit të këtij ligji ishte shndërruar në një kategori sociale që jetonte në kushte të mjerueshme.

Por, KMDLNJ, nënvizoi se një tjetër kategori, që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ka mbetur pa përkujdesje të shtetit, dhe ata janë ish të burgosurit politikë, numri i të cilëve është i madh.

“Pa zgjidhjen e statusit të ish të burgosurve politikë nuk mund të llogaritet se Qeveria e Republikës së Kosovës ka përmbushur detyrimin ndaj kësaj kategorie, që ka dhënë shumë kontribut për Kosovën duke bërë shumë sakrifica”.

Në këtë kontekst KMDLNJ i ka kërkuar sot Kuvendit të Kosovës, të hartojë një ligj për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

KMDLNj, theksoi ndër të tjera se kërkon vlerësimin e punës dhe status të veçantë të organizatave, që kanë luajtur rol në planin e informimit, të shpërndarjes së ndihmave etj, madje edhe familjet e ushtarëve të vrarë në ish APJ duhet të gëzojnë status të veçantë dhe përkujdesje institucionale.

mit/NOA

KOMENTE