English

Maqedonia, 9 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit

Shkup, 10 Gusht, NOA – Më 13 gusht mbushen 9 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, e cila i dha fund konfliktit ndërmjet luftëtarëve shqiptarë dhe forcave qeveritare në Maqedoni.

Shqiptarët në Maqedoni edhe në këtë përvjetor, janë përballë një dileme të madhe se a është realizuar apo jo tërësisht Marrëveshja e Ohrit dhe fryma e saj.

Deklaratat dhe imponimet optimiste duken shumë cinike përballë fakteve dhe realitetit të zymtë të shqiptarëve, pa gjuhë shqipe, pa simbole kombëtare, me injorimin institucional të kësaj marrëveshje nga maqedonasit...

Nëntë vite pas 13 gushtit të vitit 2001, analizat, raportet dhe vlerësimet e ndryshme flasin se dokumenti që parandaloi konfliktin e asaj kohe nuk ka arritur që të mbyllë çështjen shqiptare në Maqedoni.

Realiteti lidhur me mospërmbushjen e detyrimeve të Marrëveshjes së Ohrit është alarmuar edhe nga partitë opozitare, kryesisht më e zëshme PDSH-ja, e cila e ka vlerësuar këtë dokument të parealizuar dhe të shkatërruar, mirëpo nga ana tjetër, është ofruar edhe marrëveshja e re e kësaj partie. Demokracia e Re kërkon me ngulm implementimin e plotë të kësaj marrëveshje të garantuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, BDI ka deklaruar se deri më tani është bërë punë e madhe për zbatimin e saj, por duhet të punohet edhe në të ardhmen me qëllim që ajo t'i japë rezultatet e pritura.

Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare, kreu shtetëror shqiptar por dhe liderë rajonal, e vlerësojnë këtë marrëveshje si një sukses jo vetëm për Maqedoninë, por si një shembull të diplomacisë që ka rrezatuar stabilitet në mbarë rajonin.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë vizitës së tij në Maqedoni, ka kërkuar nga ligjvënësit e shtetit fqinj, që të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit. Presidenti i Republikës, ka theksuar se zbatimi i kësaj marrëveshje është elementi kyç për stabilitetin e Maqedonisë dhe të ardhmen e saj evropiane. Të njëjtin mendim kanë shprehur edhe kryeministri shqiptar, dhe shefi i diplomacisë shqiptare, Sali Berisha e Ilir Meta.

Komuniteti ndërkombëtar e ka përshëndetur suksesin e deritanishëm në zbatim të Marrëveshjes së Ohrit dhe rithekson zotimin e tij për mbështetje të mëtejshme për Maqedoninë në rrugën e integrimit euro-atlantik.

Marrëveshja e Ohrit ka rëndësi të madhe për stabilitetin dhe të ardhmen e Maqedonisë, prandaj duhet angazhim i të gjithëve për implementimin e plotë të saj. Përparime janë shënuar, por duhet ende punë për të realizuar atë çfarë përmban ky dokument që solli paqen në vitin 2001, deklaroi , ambasadori i OSBE-së në Shkup, Hose Luis Herero, duke folur me rastin e 9-vjetorit të arritjes së Marrëveshjes së Ohrit.

“Mendoj se është me rëndësi të thuhet se Marrëveshja e Ohrit ka siguruar paqen dhe stabilitetin në vitin 2001. Ishte instrumenti kryesor në atë kohë për arritjen e kompromisit politik, që ishte shumë e vështirë. Kanë kaluar nëntë vjet dhe mund t’i numëroj sferat ku janë shënuar përparime, edhe pse janë shumë. Situata ndoshta nuk është e përkryer dhe ka ende probleme, por është shumë më e mirë se në të kaluarën”.

Cilat janë problemet e pazgjidhura dhe të zvarritura?

* Moszgjidhja e përdorimit të gjuhës shqipe

* Mospërdorimi i simboleve kombëtare

* Ndarja e dëmshme territoriale dhe decentralizimi i parealizuar

* Mosarritja e shkallës së përfaqësimit deri në 25 për qind

* Diskriminimi rreth dhënies së shtetësive për afërsisht 50 mijë shqiptarë

* Përfaqësimi zero në shumë institucione dhe hierarkinë e lartë vendimmarrëse shtetërore

* Anashkalimi i zonave shqiptare për investime

* Anashkalimi dhe mos përfaqësimi në organet e larta të sigurisë, shërbimet sekrete dhe njësitet speciale ushtarake, ku nuk ka gati asnjë shqiptarë

* Moszgjidhja e statusit të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së

* Kaosi i shkaktuar në arsimin shqip

* Diskriminimi total i shqiptarëve rreth ndarjes së banesave sociale

* Percaktimi i Komitetit parlamentar për marrëdhënie ndëretnike

Marrëveshjet dhe zgjidhjet pas luftërave në rajon

* Kosovë - serbët me rreth 7 për qind. Gjuha serbe është zyrtare në tërë territorin e Kosovës. Ndarja territoriale favorizon komunitetin serb me territore të gjëra.

* Bosnjë-Hercegovina – Pas marrëveshjes së Dejtonit krijohet federata e BH-së. Kroatët me 14 për qind, por edhe serbët me 35 për qind. Gjuhët e tyre janë zyrtare. Funksionon Këshilli presidencial me presidentë të zgjedhur me rotacion, boshnjak, serb dhe kroat, me mandate të caktuara

* Mali i Zi – Serbët me 32 për qind janë popullsi shtetformuese relevante, duke shfrytëzuar trashëgiminë në këtë shtet dhe duke qenë gjuha e tyre zyrtare, që e flasin edhe malazezët

* Lugina e Preshevës – Marrëveshja e Konçulit që ndërpreu luftën e UÇPMB-së me autoritetet serbe në vitin 2000, për më shumë të drejta të shqiptarëve. Nëntë vite pas saj, nuk është realizuar as 20 përqindëshi i saj.

NOA-INA

KOMENTE