English

Mes të mirës dhe të keqes

A është Zoti qenie indiferente ndaj krijesave të Tij, një aprovues në heshtje i rendjes pas epsheve njerëzore apo Ai është një burim reference sesi njeriu duhet të ndërtojë jetën e tij të virtytshme?

Nga Ing. Fisnik Kruja

E mira dhe e keqja janë dy nocione tepër të gjera që mbartin subjektivitet, shpesh edhe të kundërt në vetvete. Por gjithsesi ka një masë të përbashkët në mes të gjitha krijesave njerëzore se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Kjo hapësirë e përbashkët vjen duke u zgjeruar sa më shumë që njerëzit ndajnë mes tyre pikëpamje dhe këndvështrime të njëjta për botën dhe jetën. Padyshim që në krye të këtyre njerëzve janë ata që besojnë te Zoti, tek Ai që me dijen dhe urtësinë e Tij përcakton në mënyrë absolute se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Në një masë shumë të madhe edhe një vetë njeriu, i pa ndikuar nga ideologjitë tokësore, e mbart që nga lindja e tij këtë trashëgimi hyjnore, që ndan në mes të mirës dhe së keqes. Një besimtar i vërtetë mysliman nuk është veçse një natyrë e pastër e krijimi të Zotit dhe si i tillë, sytë e shpirtit të tij shohin para atyre të ballit se ç’është e mirë dhe e keqe, ai është dhe duhet të jetë një busull hyjnore e së mirës që nuk mund dhe nuk duhet kurrsesi të bjerë preh e tërheqjes së fushave magnetike të së keqes.

Duke u nisur nga parimi i hyjnor se njeriu në thelb mbetet i njëjtë në ndjesitë e tij ndaj së mirës dhe së keqes, ndaj së bukurës dhe shëmtuarës, ndaj dëmit dhe dobisë, duhet thënë se referenca për atë çka është e mirë dhe e keqe mbetet gjithmonë e njëjtë, sado e lashtë të jetë ajo, ajo kurrë nuk mund të tjetërsohet, për aq sa mund të tjetërsohet edhe vetë shpirti i njeriut.

Vlerat dhe virtytet e bukura dhe të mira njerëzore janë gjithmonë aktuale dhe vlerësimi për to kurrë nuk zvetënohet. Për shembull besa, dashamirësia, ndershmëria, bujaria, fisnikëria, sinqeriteti etj, janë vlera që asnjë epokë nuk mund t’i zhbëj. Edhe pse jo rrallë ndodh që këto vlera zbehen dhe marrin ngjyrime të ndryshme tek njerëzit, ato përsëri rishfaqen pareshtur kohë pas kohe, duke ndritur në pastërtinë e origjinalitetit të tyre. Po kështu edhe veset dhe antivlerat të tilla si pabesia, smira, mashtrimi, koprracia, poshtërsia, vjedhja, amoraliteti dhe imoraliteti, hipokrizia etj sado të këndshme që të duken kohë pas kohe për një pjesë të njerëzve, ato do të mbeten kurdoherë të urryera dhe të shëmtuara për ta. Vetë fakti se edhe kur këto antivlera bëhen pjesë përbërëse e një shoqërie njerëzore tentojnë të fshihen pas vlerave pozitive njerëzore, siç është p.sh. liria dhe barazia, duke i keqpërdorur ato, tregon se qenia njerëzore kurrë nuk mund ta dashuroj të keqen pa mashtruar më parë vetveten.

Myslimani shqiptar ashtu si edhe bashkëkombësit e tij të tjerë gjendet në të njëjtin det tallazesh vlerash dhe antivlerash, të cilat kanë trazuar së fundi këto ujëra dikur relativisht të qeta të shqiptarëve. Besimtari i sotëm shqiptar ndryshe nga ai i dikurshmi, për shkak të dy elementëve disfavorizues, është i detyruar të përballet mundimshëm me këtë luftë të ashpër mes vlerave dhe antivlerave, në këtë periudhë tranzicioni edhe për identitetin e tij. Elementi i parë është trashëgimia komunisto-ateiste që iu vesh me dhunë “njeriut të ri socialist”, dhe që më parë e zhveshi atë nga trashëgimia fetare dhe morale e kamotshme. Elementi i dytë është përballja me integrimin perëndimor, nga i cili për fat të keq shpesh i ofrohen elementët negativë, nga të cilat edhe vetë perëndimi vuan dhe që nuk përbëjnë aspak treguesin real të faktorëve që kanë zhvilluar pozitivisht këtë pjesë të botës.

Besimtarit i duhet të përballet në këtë kohë pikësëpari me vlerën e besimit në Zot, a duhet ai të besojë dhe nëse po si duhet ai të besojë? A është Zoti qenie indiferente ndaj krijesave të Tij, një aprovues në heshtje i rendjes pas epsheve njerëzore apo Ai është një burim reference sesi njeriu duhet të ndërtojë jetën e tij të virtytshme? A mundet vallë njeriu të jetë i mirë dhe i virtytshëm, i dobishëm për veten, familjen dhe shoqërinë duke besuar thjesht tek humanizmi? Po për botën e amshueshme, përtej kësaj të përkohshmes, ku asnjëherë nuk mund të vihet drejtësia absolute, a duhet ai të besojë dhe shpresojë?

Kjo etapë e historisë njerëzore e ka vënë besimtarin edhe para një përballje tjetër të rëndësishme, që është ajo ekzistenciale. A ka vlerë jeta e tij apo e të tjerëve në këtë botë ku ai ndodhet? Nëse nuk ka lumturi në këtë botë, përse atëherë ai duhet të jetojë? Por nëse ai arrin kulmin e asaj që atij i duket se është lumturi, përsëri ç’kuptim ka jeta pas saj? Kështu pra, në dilemën mes jetës dhe vdekjes ai duhet zgjedh mes durimit për të jetuar dhe vetëvrasjes, se cila është e mira dhe cila është e keqja në këtë rast.

Por njeriu nuk ka ardhur në këtë jetë si shkak i pavarur nga jetët e tjera njerëzore dhe si i tillë duhet të përballet me faktin se ai është njeri dhe bir njeriu dhe për rrjedhojë duhet të jetë edhe prind njeriu. A duhet ai tu japë jetë qenieve të tjera njerëzore apo kontakti seksual për të është thjesht një kënaqësi që duhet të ndahet nga riprodhimi i qenieve njerëzore? Nëse ai erdhi në jetë për të shijuar këtë botë, kjo qe një rastësi fatlume, por a duhet ai vallë të jetë mirënjohës ndaj këtij fati duke ua mundësuar këtë gjë edhe pasardhësve të tij të mundshëm, apo jeta e tyre nuk vlen asgjë para rehatisë së përkohshme që të fal shterpësia? A nuk është pra aborti, kjo vrasje makabër e qenieve njerëzore, vetëm se një mjet që në vë në pikëpyetje vlerën e jetës njerëzore?

Shoqëria njerëzore lind me njeriun si individ, por ajo fillon formësimin e saj pikërisht kur formohet celula e parë e kësaj shoqërie, që është familja. Pa familje njerëzit do të mund të ekzistonin, ashtu siç ekzistojnë edhe shumë qenie të tjera të gjalla, por pa familje kurrë nuk do të ishte krijuar shoqëria njerëzore, kurrë nuk do të ishte krijuar kombi dhe shteti, kurrë nuk do të ishte krijuar kultura dhe qytetërimi. A është pra familja vlerë që nuk duhet të braktiset? Format e tjera të lidhjeve mes individëve a mundet vallë të ndërtojnë atë që ka ndërtuar familja për kaq shumë epoka të ekzistencës njerëzore? Ku qëndron pra vlera e familjes dhe e martesës, institucionit që ndërton më së miri këtë qelizë të shoqërisë njerëzore?

Për të gjitha këto vlera, jeta, familja, martesa, një besimtar duhet t’i referohet fjalëve të Zotit, ku mes të cilave mund të veçojmë versetin kuranor që thotë: “Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve.” (5:32)

Si dhe versetin që thotë:

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.” (4:1)

Përballë këtyre vlerave besimtarit i duhet të përballet me minues të shumtë që gjenden në rrugën e tij drejt përmbushjes së tyre. Një ekspozim i paparë dhe i rrallë edhe në botë i imoralitetit, ka përfshirë trojet shqiptare, që nga ekspozimet reale të lakuriqësisë dhe pornografisë deri edhe nëpër auditorët e shkollave, duke vazhduar tek propaganda virtuale mediatike e këtyre antivlerave morale dhe familjare, me anë të filmave dhe emisioneve të zhanreve të ndryshme, që për arsye thjesht komerciale mbipopullojnë çuditërisht mediat shqiptare.

Patriarkalizmi me të mirat dhe të këqijat e tij u pat trashëguar njerëzve respektin ndaj prindërve, ndaj familjes, fisit dhe ndaj të moshuarve. Dhe nëse njeriu do të humbasë edhe fenë si pikë referimi në koshiencën apo subkoshiencën e tij, atëherë këto vlera një ditë do mbeten relike për tu vendosur në muze.

Vrulli dhe entuziazmi i paparë drejtë një jetë më të mirë materiale, më parë të privuar padrejtësisht, me të cilën karakterizohen shumë shqiptarë të sotëm i ka bërë shumë prej tyre të humbasin vlera të trashëguara shekullore të këtij kombi. Një nga më të vyerat prej tyre është dhe besnikëria. Besnikëria përfshin çdo marrëdhënie njerëzore, prind-fëmijë, burrë-grua, sipërmarrës-punëtor, institucion-individ, qytetar-shtet... Nëse një njeri humbet pak apo shumë, në emër të pragmatizmit individual, virtytin për të qëndruar besnikë në këto marrëdhënie qofshin respekti dhe ndershmërie apo financiare dhe materiale, atëherë mashtrimi, pandershmëria, korrupsioni dhe mungesa e respektit ndaj normave morale do të kthehen në një gangrenë që edhe mjetet dhe detyrimet ligjore nuk mund ta evitojnë dot. Nëse një besimtar nuk gjen dot forcë tek besimi dhe feja të përballet me këtë llum të këqijash, atëherë ai kurrsesi nuk mund ta përjashtojë veten nga kjo pjesë e ligë e shoqërisë dhe assesi nuk mund të mbajë një rol modeli në shoqëri.

Një fenomen negativ që shoqëron mungesën e besnikërisë në këtë tranzicion të vështirë politik që po kalon vendi ynë është edhe mediokriteti dhe paaftësia profesionale, e cila me arrogancën e mendjemadhësinë e saj për hir të lavdisë dhe interesit personal dhe klanor shkel mbi vlerat e besimit dhe të fesë.Si rrjedhoje e këtij fenomeni vendosen ligje te padrejte apo nuk gjen zbatim ligji. Besimtarit shqiptar i duhet të përballet në një betejë të ashpër me veten dhe shoqërinë edhe me këtë problem aspak të vogël, për shkak të të cilit ai nuk mund të gëzojë pronën e trashëguar apo atë vetiake.

Duke vazhduar kështu besoj se do të preknim edhe vlera dhe antivlera, të mira dhe të këqija të tjera mes të cilave është i detyruar të luftojë një besimtar mysliman, mirëpo pavarësisht nga radhitja apo nga rëndësia e atyre që kemi përmendur apo lënë pa përmendur, qëllimi është të tërheqim vëmendjen se cilat janë disa nga ato probleme madhore me të cilat ne si besimtarë duhet të fitojmë betejën në radhë të parë me vetveten dhe më pas me shoqërinë që na rrethon. Përderisa zgjidhje në mes të mirës dhe së keqes, në mes virtytit dhe amoralitetit, ndërmjet besnikërisë dhe mashtrimit nuk mund të ketë, ne si besimtarë duhet ta kemi të qartë se tashmë e kemi bërë jo zgjidhjen, por zgjedhjen tonë, e cila është të qëndrojmë të palëkundur në anën e së mirës, në anën e asaj që kërkon besimi dhe morali i lartë i fesë sonë, sfidë të cilën ne si bashkësi akoma nuk e kemi përmbushur si duhet.

KOMENTE