English

Pentagoni në regjim kursimi, mbyllen baza dhe komanda ushtarake

Pentagon, 10 Gusht 2010 - Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, ka bërë publike shkurtimet masive në fonde e njerëz brenda dikasterit që drejton. Masat e fundit janë një përpjekje për të baraspeshuar dy luftërat e shtrenjta, në të cilat janë të përfshira SHBA-të, dhe deficitin e thellë buxhetor, me të cilin përballet vendi.

Masat e publikuara nga Gejts janë hapi i parë drejt përmbushjes së premtimit për kursime deri në 100 miliardë dollarë brenda ushtrisë. Gejts shtoi se fondet janë të nevojshme në sektorë të tjerë të po këtij institucioni, veçanërisht në përmirësimin e gjendjes në mesin e forcave të armatosura, si dhe për përgatitjen e trupave për operacionet e ardhshme ushtarake. “Në maj kërkova nga Pentagoni të shihte thellë e me imtësi mënyrën e organizimit, të veprimit dhe ekipin e Departamentit”, citohet z.Gejts nga radio Evropa e Lirë. “Erdha në përfundimin se qendrat tona dhe burokracitë mbështetëse të tyre - si ato civile, edhe ushtarake – janë tej mase të fryra, veprojnë për shumë gjëra bazuar te kontraktorët dhe nuk i marrin vendimet duke pasur parasysh dhe koston e veprimeve”. “Kjo është manifestuar gjatë dekadës së fundit në rritjen e skajshme të stafit dhe shpenzimeve”, tha Gejts. Ai shtoi se shkurtimet janë vetëm hapi i parë për të mënjanuar shumë nga mosefikasiteti aktual. Buxheti vjetor amerikan i mbrojtjes është rreth 700 miliardë dollarë, çfarë përfshin shpenzimet për luftërat në Irak dhe në Afganistan. Shkurtimet parashohin mbylljen e disa prej komandave qendrore ushtarake dhe lënë të hapur mundësinë e mbylljes së bazave ushtarake. Shkurtimi i punëve të kryera nga kontraktorët, por dhe i një numri gjeneralësh e admiralësh, janë pjesë e planit të Gejtsit.

“Si rezultat i luftërave, ky departament ka marrë misione dhe përgjegjësi të reja, të cilat kanë kërkuar hapjen e posteve të reja ushtarake e civile”. “Por përveç përmbushjes së nevojave për të dyja luftërat, kemi ardhur në një situatë ku personeli i shkallës së lartë ka bërë gjithmonë e më shumë detyra, që mund të bëhen nga pjesëtarë të ekipit të një niveli më të ulët”, tha shefi i Pentagonit. Natyrisht, ajo që ra më shumë në sy ishin shkurtimet e mëdha në Komandën e Bashkuar, që është vendosur në Norfolk të Virxhinias, 330 km larg nga Uashingtoni. Kjo qendër komanduese ka të punësuar 2800 veta, personel ushtarak e civil, si dhe punon me mbi 3000 kontraktorë. Kostoja vjetore e kësaj komande është 250 milionë dollarë. Departamenti i Mbrojtjes tha se një mori përgjegjësish, në veçanti ato që kanë të bëjnë me bashkërendimin e punës në pjesë të ndryshme të forcave të armatosura, do t’iu kalohen strukturave të tjera të këtij departamenti. Gejts e ka marrë postin e sekretarit të mbrojtjes në kohën e presidentit Bush. Ai ka vazhduar në këtë detyrë edhe pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë të presidentit Obama. Në Kongres, Gejts ka mbështetjen e të dyja partive. Por, vendimi i tij më i fundit për shkurtime nuk do të jetë pa pasoja. Amerikanët do t’i ndjejnë këto shkurtime në xhepat e tyre. Gejts është i ndërgjegjshëm për një fakt të tillë. “Kam autorizuar çdo departament të vlerësojë dhe të gjejë kohën e përshtatshme për mbylljen e çfarëdo baze apo qendre në një kohë të përshtatshme. Kjo është dhe një çështje e ndjeshme politike, kur dihet se Kongresi ka vendosur kufizime ligjore ndaj Departamentit të Mbrojtjes lidhur me mbylljen e qendrave”. “Por, e vështira nuk është e pamundur. Shpresoj që Kongresi do të punojë së bashku me ne, për t’i zvogëluar kostot e panevojshme”, tha Gejts. Reagimet nga Kongresi kanë qenë të ndryshme. Kongresistët, zonat zgjedhore të të cilëve preken nga shkurtimet, thanë se Gejts nuk do ta ketë të lehtë të marrë miratimin në Kongres. Përfaqësuesi republikan, Hauard MekKeon, tha se Gejts duhet t’i bindë anëtarët e Komitetit Ushtarak në Kongres se masat e propozuara nuk dobësojnë forcat e armatosura. Edhe senatori demokrat, Mark Uorner, kundërshtoi disa nga masat e Gejtsit. Megjithatë, ky i fundit mori mbështetje politike nga presidenti Obama. Kreu i Shtëpisë së Bardhë çmoi përpjekjet e shefit të mbrojtjes “për të reformuar mënyrën e punës së Pentagonit”.

KOMENTE