English

Wolfgang Ischinger: Pa zgjidhje Beograd-Prishtinë, dera e BE do mbetet e mbyllur

Berlin, 10 Gusht, NOA – Ish-ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedimet për statusin e Kosovës, ambasadori gjerman Wolfgang Ischinger, paralajmëron në një intervistë për BBC-në se pa një zgjidhje politike midis Beogradit dhe Prishtinës, dyert e BE-së do të mbeten të mbyllura për Serbinë dhe Kosovën.

Ambasadori Ischinger tha se Beogradi e ka të qartë se nuk do të ketë anëtarësim në BE pa zgjidhjen e plotë të problemeve me Kosovën.

Në një bisedë me BBC në shqip ai tha se zgjidhja e çështjeve praktike mes të dy vendeve, pa hapur negociatat për statusin, do të duhej të gjendej pavarësisht përcaktimeve statusore të palëve.

Ambasadori Ischinger ka kundërshtuar idetë për ndarje të Kosovës, por ka thënë se zgjidhjet praktike për veriun e Kosovës do të mund të gjendeshin duke u mundësuar qytetarëve të kësaj pjese mbajtjen e lidhjeve politike, kulturore e fetare me Serbinë, por duke qenë zyrtarisht pjesë e Kosovës.

Korrespondenti i BBC-së në Prishtinë, Arbër Vllahiu, zhvilloi një bisedë me ambasadorin Ischinger.

Sa mundet ky vendim i GJND-së të hapë ose në anën tjetër pamundësojë bashkëpunimin në mes Prishtinës e Beogradit?

Nga pikëpamja ime fjala e paraqitjeve të Gjykatave demonstron faktin se nuk mund të presim që Gjykatat, qoftë kjo apo instancat e tjera ligjore, të zgjidhin problemin ekzistues ndërmjet Beogradit e Prishtinës. Me fjalë të tjera, ajo që na duhet është një zgjidhje politike. Kam një shpresë të fuqishme se pas kësaj deklarate nga Haga, tani do të ketë një mundësi të re për diskutime ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për të ardhmen që të mos jetë e e bazuar në kundërthënie dhe vështirësi, por në një të ardhme të bazuar në interesat e përbashkëta.

Ju thoni një zgjidhje politike. Çfarë mendoni konkretisht me këtë: zgjidhje politike në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në Këshill të Sigurimit, brenda BE-së? Cilat instanca duhet ta ofrojnë këtë zgjidhje politike?

Nga pikëpamja ime është përgjegjësi e udhëheqjes politike në Beograd dhe Prishtinë që të gjëjnë së bashku një zgjidhje. As Këshilli i Sigurimit i OKB-së, as Asambleja e Përgjithshme dhe as edhe asnjë organ tjetër ndërkombëtar nuk mund ta bëjë këtë për serbët dhe kosovarët. Ata duhet të merren me këtë çështje vetë. Bashkësia ndërkombëtare, me shumë shpresë, do të ketë mundësi të ndihmojë, të drejtojë, lehtësojë dhe mbështesë, por pa një vendosmëri për të zgjidhur këtë problem ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës asgjë nuk do të ndodhë. Prandaj unë u bëjë thirrje udhëheqësve edhe në Beograd edhe në Prishtinë që të përdorin "telefonat celularë", të shfrytëzojnë mjetet e komunikimit dhe të fillojnë një proces.

Nuk do të thotë se ky proces duhet domosdoshmërisht të jetë proces i dy palëve, sepse jam i sigurt se edhe OKB-ja edhe BE-ja, edhe qeveri individuale do të jenë shumë të vullnetshme dhe të gatshme që të ndihmojnë dhe të mundësojnë një proces të tillë. Por duhet të ketë diskutime dhe negociata, që pasojnë diskutimet, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është ajo që duhet dhe jo një vendim i ri nga Asambleja e Përgjithshme. Ky problem duhet të zgjidhet këtu në Evropë dhe jo në Nju Jork.

Por ambasador, autoritetet serbe duan negociata për statusin, me qëllim të, siç thonë, gjetjes së një zgjidhjeje kompromisi. Prishtina zyrtare thotë se nuk ka më negociata për statusin. Ju ishit një prej ndërmjetësve mes palëve. A mendoni se ka ende hapësirë për të diskutuar çështjen e statusit?

Unë mendoj se koncepti i negociatave për statusin do të çonte në drejtim të gabuar. Është diçka që, sigurisht, qeveria në Prishtinë, e njohur nga afro 70 vende, nuk do të kishte vullnet të diskutonte. Ajo që është e nevojshme për të dyja palët është që të gjejnë mënyrën për të jetuar së bashku me zgjidhje praktike. Mendoj se kjo është e mundshme, pa e shkelur Kushtetutën e Serbisë. Besoj se shtetet e tjera e kanë demonstruar se është e mundshme që të gjenden zgjidhje praktike në interes të qytetarëve, pa hequr dorë nga përcaktimet statusore.

Siç e dinë të gjithë, gjatë procesit të treshes, tre vjet më parë, ne paraqitëm një propozim të bazuar në dy Gjermanitë e viteve 1970. Unë vazhdoj të besoj se kjo është një mënyrë për ta shtyrë çështjen përpara. Nuk ka ligj në Serbi dhe nuk ka ligj as edhe në Kosovë që nuk do të mundësonte tregtinë, afarizmin, shkëmbimin që të lulëzojë përgjatë kufirit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, edhe nëse dy palët nuk mund të pajtohen menjëherë për natyrën e saktë të marrëdhënieve ligjore a kushtetutese. Ne na duhen zgjidhje praktike dhe jo mosmarrëveshje ligjore.

Por a mundet atëherë që një nga këto zgjidhje të jetë ndarja e pjesës veriore, apo ndoshta një lloj shkëmbimi të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës?

Personalisht jam kundër çdo lloj përpjekjeje zyrtare për të ndryshuar kufijtë aktualë në Evropë, sepse konsideroj se kjo vetëm do të komplikojë gjërat. Ka mënyra të tjera të zgjidhjes së çështjeve të popullatës serbe në veriun e Kosovës. Do t'ju jap një shembull: ka një xhep të vogël përgjatë kufirit të Gjermanisë me Austrinë. Është një territor që është shumë i vështirë për t'u qasur nga pjesa austriake për shkak të maleve, por ai vazhdon t'i takojë Austrisë. Për shkak të qëllimeve praktike kjo pjesë e territorit administrohet dhe është në lidhje të ngushtë me Gjermaninë, për shkak se është më lehtë për t'u marrë me këtë pjesë të vendit nga pjesa gjermane.

Ne nuk ndryshuam kufijtë, por thamë thjesht se është më lehtë që këta njerëz të kenë lidhje më të ngushta me Gjermaninë se sa me Austrinë, megjithëse zyrtarisht i takojnë Austrisë. Ky është vetëm një shembull se si mund të gjenden zgjidhje praktike pa i ndryshuar kufijtë. Dhe unë besoj se kjo do të ishte një prej mënyrave se si do të gjendeshin zgjidhje për njerëzit që nuk duan të heqin dorë nga marrëdhëniet me Serbinë dhe që jetojnë në veri të lumit Ibër. Prandaj unë jam kundër ndryshimit të kufijve, por jam për zgjidhje praktike që do të kënaqnin nevojat e qeverisë së Kosovës, por që gjithashtu do t'i përgjigjej edhe vullnetit të popullatës lokale.

Të jemi më të saktë. A do të thotë kjo se duhet të kemi një status të posaçëm për veriun?

Unë do ta quaja thjeshtë zgjidhje praktike. Ajo do t'i mundësonte popullatës serbe në veri të Kosovës që të mbajë lidhje të ngushta politike, kulturore e fetare me Serbinë, por duke qenë zyrtarisht pjesë e Kosovës. Pse nuk është e mundur kjo? Ka edhe shembuj të tjerë në botë, jo vetëm në Evropë, për zgjidhje të tilla praktike. Mendoj se kjo është një lloj zgjidhjeje që mund të gjendet pa folur për një lloj statusi të posaçëm të autonomisë, ose status ligjor të posaçëm. Ka aq shumë diskutime për teknikalitete ligjore dhe çështje kushtetuese, por këto janë probleme që janë krijuar në mënyrë artificiale dhe ato i ndalojnë zgjidhjet praktike, pra nuk i lehtësojnë ato. Prandaj të flasim më pak për çështje kushtetuese dhe ligjore dhe të flasim më shumë se çfarë është në interes të qytetarëve dhe për përparimin që edhe shqiptarët dhe serbët kanë nevojë në të ardhmen.

Dhe e treta, është ajo që edhe Kosova dhe Serbia do të duhet të paraqesin në BE për mënyrën e arritjes së një zgjidhjeje të mesme, të arritjes së një marrëveshjeje për të jetuar në paqe dhe harmoni pranë njëri-tjetrit. Pa një marrëveshjeje të tillë politike dera e Evropës do të mbetet e mbyllur për Serbinë dhe Kosovën. Presidenti Tadiq e di këtë mirë dhe jam i sigurt se shumica e serbëve të arsimuar janë në dijeni të plotë se pa zgjidhjen politike të kësaj çështjeje dera për në Evropë nuk do të hapet plotësisht. Kjo është një sfidë politike për udhëheqjen në Beograd por gjithashtu edhe në Prishtinë.

Pra ka të bëjë me kushtëzime për të dyja palët?

Absolutisht. Shpresoj se kjo është kuptuar mirë dhe se askush në Beograd nuk ka iluzione se Serbia do të mund të bëhet anëtare e BE-së pa një zgjidhje të plotë të çështjes së Kosovës. BE-ja nuk do të përsërisë gabimin e bërë vite më parë kur e pranoi Qipron pa një zgjidhje të plotë të çështjes qipriote, që vazhdon të jetë një problem i madh ndërmjet Greqisë dhe Turqisë dhe për gjithë BE-në. Ne nuk do të përsërisim një gabim të tillë. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë.

Dhe më lejoni t'ju pyes zoti ambassador. Vendimi i GJND-së, një organi të OKB-së, nuk është pranuar as edhe nga 5 vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Sa po e dëmton perspektivën evropiane të Kosovës, ky qëndrim i këtyre vendeve të BE-së?

Le të jem i qartë. Me sa e kuptoj unë vendimi i marrë nga Gjykata Ndërkombëtare nuk kërkon nga asnjë vend që ta njohë Kosovën. Prandaj nuk ka një presion ligjor mbi këto 5 vende që të ndryshojnë pikëpamjen e tyre. Por unë shpresoj se këto 5 vende do ta kuptojnë më mirë në të ardhmen, atë që ne e kemi kuptuar në të kaluarën, se kanë përgjegjësi në raport me BE-në si tërësi. Dhe se është me rëndësi për BE-në që të ketë një qëndrim të qartë të përbashkët për këtë çështje.

Nga pikëpamja ime është për të ardhur keq që këto 5 vende po e parandalojnë BE-në që të luajë një rol unifikues që do të duhej ta luante në rajon në dhjetëvjetëshin e fundit. Mendoj se me kalimin e kohës këto 5 vende do ta rishikojnë qëndrimin e tyre dhe shpresoj se BE-ja, në një të ardhme jo të largët, do të ketë një qëndrim se si të shikojë në problemin ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

BBC

KOMENTE