Prishtinë, 11 gusht, NOA – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ashtu siç ka bërë ditët e fundit, edhe sot ka përsëritur akuzat e saj ndaj qeverisë se sipas saj, është duke kryer bisedime të fshehta me Beogradin zyrtar.
Konkretisht, partia opozitare e Haradinajt po deklaron se qeveritarët kosovarë janë duke biseduar me ata serbë për çështje si blerja e energjisë nga Serbia, bizneset private apo edhe çështjet që ndërlidhen me veriun e Kosovës.
“Do të vijë koha kur publiku do të informohet për çdo detaj. Asnjëherë s'kanë mundur të mbahen fshehtë këto gjëra përgjithmonë”, është shprehur shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini.
Por pohime të tilla janë hedhur menjëherë poshtë nga qeveritarët e Kosovës, si të sajuara nga opozita. “Nuk kemi nevojë që të bëjmë një kompromis në raport me Serbinë. Tërësia territoriale, pavarësia, organizimi i brendshëm dhe karakteri unik i sistemeve në Kosovë, janë çështje të brendshme të Kosovës”, tha lidhur me një fakt të tillë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
Por edhe sekretari në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, ka deklaruar ndërkaq, se “nuk ka kurrfarë bisedimesh të fshehta”.
“Ose do të jenë publike, ose nuk do të ketë fare bisedime. Edhe po të ketë bisedime të tilla, ato një ditë duhet të bëhen publike. Çdo tendencë që dikush fshehtas të bisedojë për gjëra të ndryshme që kanë të bëjnë me të ardhmen e Kosovës, do të ishte gabim i madh”, nënvizon Ivanoviç lidhur me një fakt të tillë.
n.e/NOA