English

Arrestohet i shumëkërkuari Agim Xhambrazi, i dënuar me 15 vjet burg për trafikim fëmijësh e qeniesh njerëzore

Tiranë, 11 gusht, NOA – Ndërkohë po sot është arrestuar pas pesë muajsh kërkime nga Policia e kryeqytetit, i shumëkërkuari, 48 vjeçari Agim Mehmet Xhambrazi, i dënuar për trafikim të fëmijëve dhe qenieve njerëzore.

Policia e Tiranës, bëri të ditur se kapja e Agim Xhambrazit u realizuar në një aksion të shërbimeve të komisariatit të policisë Nr.4.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë, kishte vendosur më 16 dhjetor të 2009-ës, ta dënonte në mungesë me 15 vjet burgim, Agim Mehmet Xhambrazin, për konsumim të veprës penale të trafikimit të qenieve njerëzore dhe trafikimit të fëmijëve.

I arrestuari Xhambrazi më datë 06 mars të këtij viti, është larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit, teksa po vuante dënimin me “Arrest shtëpie” dhe ruhej nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Në lidhje me ngjarjen, Gjykata e Rrethit të Tiranës lëshoi ndaj Xhambrazit, masën e sigurisë “arrest në burg”, për konsumim të veprës penale të largimit të të burgosurve nga vendi i qëndrimit, një masë kjo e lëshuar në 27 mars.

Në ngarkim të Agim Xhambrazit u ekzekutuan vendimet e Gjykatës, ndërkohë që i kërkuari do t’i dorëzohet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për t’u dërguar më pas në vendin e vuatjes së dënimit.

mit/NOA
KOMENTE