English

Bomba në QTU, policia: Alarm i rremë, po punohet për kapjen e autorëve të telefonatës

Tiranë, 11 gusht, NOA – Pas alarmit fals të mbërritur sot paradite me një telefonatë anonime, për vendosjen e një bombe në mjediset e Qendrës Tregtare Univers (QTU) policia konfirmon se lajmi ishte i rremë.

Përmes një komunikate Drejtoria e Policisë së Tiranës, njoftoi se pas njoftimit për vendosjen e bombës në QTU, u mobilizuan forca të tëra policie për zbulimin e bombës në këtë qendër tregtare, në një orar kur blerësit arrijnë pikun.

Oficerët e policisë, ata të antiterrorit, specialistët e antieksplozivit dhe ekspertët xhenierë, në bashkëpunim me sistemin e sigurisë së kësaj qendre tregtare, ushtruan një kontroll të imtësishëm në ambjentet e brendshme dhe të jashtme të saj, ku u arrit në konkluzionin se alarmi i mbërritur përmes telefonatës anonime, ishte fals.

Sikundër njoftoi policia, vetëm në orën 13.15’, pas mesditës Qendra Tregtare Univers, u hap për publikun duke vijuar normalisht veprimtarinë e saj, ndërkohë që stukturat e Hetimit të Krimit të Policisë së Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, po vazhdojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit të telefonatës së rreme, në institucionet e rendit.

Shërbimet e specializuara të policia së Tiranës, po punojnë intensivisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

mit/NOA
KOMENTE