Prishtinë, 11 gusht 2010 NOA - Më 12 gusht 1912 mijëra kryengritës shqiptarë të armatosur, të udhëhequr nga Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi, Ali Shkupi, Mehmet Tetova e shumë atdhetarë tjerë të shquar, përmbyllën çlirimin e vilajetit të Kosovës nga pushtimi osman, pasi morën nën kontroll Gjilanin, Preshevën, Bujanocin, Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Kumanovën, si dhe kryeqytetin e Kosovës – Shkupin.
Kjo kryengritje kaq e suksesshme e nxiti krijimin e Aleancës Ballkanike të fqinjve pushtues e ekspansionistë antishqiptarë mes Serbisë, Malit të Zi, Greqisë e Bullgarisë, të cilat i shpallën luftë Perandorisë Osmane dhe ua mësyen trojeve shqiptare. Kur shqiptarët çliruan kryeqytetin e Kosovës, VMRO-ja e atëhershme, prej të cilës rrjedh kjo e sotshmja në pushtet, ishte ajo që kërkonte ndërhyrjen bullgare për ta penguar përpjekjen tonë kombëtare për pavarësi politike.
Lëvizja VETËVENDOSJE! Duke folur sot mbi këtë eveniment tha se mbështet nismën e Bashkimit Demokratik Kombëtar për shënimin e 98 vjetorit të çlirimit të Shkupit nga kryengritësit shqiptarë më 1912.
“Ky shënim është shumë i nevojshëm sepse ka të bëjë me njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme të çlirimit kombëtar të shekullit XX. Kujtimi i kësaj përpjekjeje është i domosdoshëm sot”, - thotë Lëvizja VETËVENDOSJE!.
Kurse shton: “Para më pak se një shekull Shkupi u çlirua nga shqiptarët dhe ishte kryeqytet i Kosovës, kurse sot ai është kryeqytet i Maqedonisë dhe ndodhet nën një fushatë të egër maqedonizimi arbitrar, duke filluar që nga praktikat asimiluese të aspektit demografik, trysnia dhe shtypja politike, ekonomike, imponimi i gjuhës maqedonase nëpër shkolla, ndalimi i flamurit shqiptar, nëninvestimet nëpër komunat shqiptare, e deri te planifikimi diksriminues urban (Shkupi 2014)”.
“Shqiptarët në Maqedoni po sulmohen (dhuna e tifozëve të Vardarit); po fyhen e poshtërohen (Enciklopedia shtetërore); po diskriminohen (nënpërfaqësimi institucional administrativ dhe nëpër vendet e punës); po iu mohohet identiteti kombëtar (përvetësimi i Nënës Terezë)”, - përfundon qëndrimi nga Lëvizja VETËVENDOSJE!
a.b/NOA