Vrasje në Tiranë, identifikohet autori, ndërkohë që po punohet për kapjen e tij
Tiranë, 11 gusht, NOA - Policia ka arritur të identifikojë autorin, që ekzekutoi mbrëmë në kryeqytet 33 vjeçarin Leonard Bilali.
Burime nga drejtoria e Policisë së Tiranës konfirmuan për agjencinë NOA se autori është identifikuar në bazë të informacioneve të mbledhura nga dëshmitarët okularë në vendngjarje.
Sipas policisë mbrëmë rreth orës 22.10’, në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë, në hyrje të një minimarketi, u qëllua me armë zjarri, duke gjetur vdekjen 33 vjeçari Leonard Bilali, me banim në Tiranë.
Pas ekzekutimit të personit në fjalë policia e shtetit ka mbërritur menjëherë në vendin e krimit, dhe ka nisur hetimin për të sqaruar rrethanat dhe për të zbardhur tërësisht motivet e kësaj ngjarjeje.
Në bazë të provave të administruara nga hetimet e deritanishme të realizuara nga seksioni Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, është konkluduar se autori i dyshuar i kësaj vrasjeje ka qenë i vetëm dhe ka qëlluar me armë zjarri mbi shënjestrën e tij, 33 vjeçarin Leonard Bilali, i cili në momentin e ngjarjes ka qenë duke hyrë në ambjentet e një minimarketi të ndodhur në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë.
Aktualisht, janë pyetur disa dëshmitarë okularë të vendit të ngjarjes, të cilët kanë ndihmuar në identifikimin e autorit.
Tashmë policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës po vijojnë hetimin për përcaktimin e motiveve, dokumentimin ligjor dhe kapjen e autorit të vrasjes së Leonard Bilali.
mit/NOA