Korçë, 11 gusht, NOA – Forcat e policisë së Korçës kanë arrestuar në flagrancë një person, i cili gjatë një kontrolli të ushtruar prej tyre në shtëpinë e tij, rezultoi se posedonte bimë narkotike si edhe fishekë.
Lajmi konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke bërë me dijeni se i ndaluari është 24-vjeçari Elton Lluka, banues i qytetit juglindor.
Konkretisht, mësohet se atij iu gjendën të mbjella në oborrin e shtëpisë 10 bimë të ngjashme me atë të kanabis sativës, si dhe 5 copë fishekë model 54 kalibri 7.62 mm.
Ndaj tij, tashmë rëndojnë veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 284 dhe 278/1 të Kodit Penal.
Nga ana e policisë u kryen veprimet hetimore procedurale, ndërsa materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme.
n.e/NOA