English

Kavajë, aksidenton me makinë dy të rinj në motoçikletë, i paidentifikuar autori

Kavajë, 11 gusht, NOA – Të rrugëtosh me motoçikletë në rrugët kombëtare, dhe aq më tepër gjatë sezonit turistik, të bën shpesh “pre” të aksidenteve, madje mund të gjesh edhe vdekjen.

Kështu i ka ndodhur 18 vjeçarit me iniciale M.T., dhe pasagjerit të tij, nga fshati Rrakull i Kavajës, i cili dje është përplasur nga një makinë në fshatin Qerret të Kavajës.

Ngjarja sipas policisë ndodhi dje, kur rreth orës 16.00, në segmentin rrugor Kavajë-Rrogozhinë, pikërisht në Qerret, një autoveturë e markës “Fiat Punto”, me ngjyrë e zezë e me targa të huaja goditi një motoçikletë pa targë, e drejtuar nga 18 vjeçari M.T.

Bashkë me drejtuesin e motoçikletës është aksidentuar edhe pasagjeri i tij, një 17 vjeçar, por që të dy ndodhen në spitalin rajonal të Durrësit, larg rrezikut për jetën.

Policia po heton për identifikimin e autorit të ngjarjes, i cili u largua nga vendi i aksidentit me shpejtësi, për të mos u kapur nga radarët e policisë rrugore.

Ndaj autorit është ngritur akuza për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe largimit nga vendi i aksidentit dhe mosdhënia e ndihmës për të aksidentuarit, një fakt papërgjegjshmërie ky i shpeshtë për shoferët që ecin nëpër rrugët shqiptare.

mit/NOA
KOMENTE