English

Këtë vit, 8 mijë aksidente rrugore me 90 viktima

Prishtinë, 11 gusht, NOA – Rrugët e Kosovës, ashtu si edhe ato të Shqipërisë duken të përgjakura nga aksidentet e shumta në numër, të cilat vetëm për këtë vit numërohet të kenë qenë 8 mijë në total, me gjithsej 90 viktima.

Shifra të tilla komunikohen nga Policia e Kosovës, drejtuesit e së cilës tregojnë se që nga janari i këtij viti, kanë ndodhur rreth 8 mijë aksidente në territorin e këtij vendi, prej të cilave 90 kanë përfunduar me vdekjen e dikujt.

Siç vlerësohet nga ekspertët, 75 përqind e rasteve të aksidenteve janë shkaktuar për shkak të pakujdesisë së shoferëve, ndërsa 25 përqind e tyre, si pasojë e rrugëve jo të mira.

E në lidhje me këtë situatë, zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë theksuar se kanë filluar realizimin e një plani policor që synon parandalimin e aksidenteve.

Ndërsa u kanë bërë me dije të gjithë drejtuesve të veturave që nuk i respektojnë rregullat e Kodit Rrugor se do të gjobiten dhe ndëshkohen rëndë.

n.e/NOA

KOMENTE