Uashington, 11 Gusht, NOA – Më shumë se 450 milion dollarë nevojiten si fond ndihme emergjent për personat e prekur nga përmbytjet në Pakistan.
Një apel i tillë është hedhur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, sipas të cilës, kjo shumë është e nevojshme për ndihmë të menjëhershme në tre muajt e ardhshëm, në vendin që është prekur në mënyrë katastrofale nga përmbytjet.
Ndërkaq, autoritetet në Pakistan kanë bërë me dijeni se nëse nuk rritet ndihma ndërkombëtare për viktimat e përmbytjeve në Pakistan, shumë jetë janë në rrezik.
Sipas bilancit të deritanishëm nga kjo katastrofë, të paktën 1600 vetë kanë humbur jetën dhe gati 14 milion janë prekur nga përmbytjet.
Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për ndihma prej qindra-miliona dollarësh, për të ndihmuar Pakistanin e goditur nga vërshimet.
Gjithnjë sipas Kombeve të Bashkuara, 290 mijë shtëpi janë shkatërruar, duke i lënë 2 milionë njerëz të pastrehë.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tashmë janë zotuar për 20 milionë dollarë më shumë, ndërsa deri tani numërohen gjithsej 55 milionë dollarë ndihma.
n.e/NOA