Prishtinë, 11 gusht, NOA – Për të parandaluar aksidentet e shtuara kohët e fundit, Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa shtesë për sigurinë në trafik duke filluar patrullimet me automjete civile.
Kësaj mase i janë shtuar edhe masat e ashora për të gjithë kundërvajtësit në akset rrugore dhe në veçanti, masat për tejkalim të shpejtësisë së kufizuar
Policia e Kosovës, duke vërejtur numrin e aksidenteve të shtuara brenda 24 orëve si dhe aksidenteve te ndodhura gjate këtyre muajve, u bën thirrje të gjithë qytetarëve të cilët qarkullojnë në rrugë me ose pa automjete, të bëjnë kujdes dhe të tregohen të vëmendshëm në zbatimin e normave të sjelljes të sanksionuara me ligjin për sigurinë e komunikacionit rrugor.
“Moszbatimi i tyre për fat të keq po paguhet me jetë”, citon ajo në një deklaratë për shtyp.
Nga ana tjetër, njësitet e trafikut dhe njësitet patrulluese të PK-së, në kuadër te planeve konkrete gjatë patrullimeve edhe me vetura civile do të ashpërsojnë masat e gjobitjes e kjo nënkupton që nuk do të ketë kurrfarë tolerimi për kundërvajtësit të cilët nuk i respektojnë rregullat e trafikut rrugor e në veçanti shpejtësinë e kufizuar me shenja.
Në kuadër të këtij plani, nga sot dhe ditëve në vijim do të ketë njësite policore ne lëvizje dhe pika kontrolli shtesë me automjete civile të njësiteve të trafikut dhe të gjithë pjesëmarrësit që nuk i respektojnë dispozitat e ligjit për sigurinë e komunikacionit rrugor do të gjobiten e në raste të caktuara siç është e paraparë edhe me ligj do të merren edhe masa të tjera.
n.e/NOA