English

Tahiri: Berisha po inauguron rrugë për herë të tretë dhe të katërt

Tiranë, 11 gusht, NOA – “Shqiptarët nuk gënjehen më në vitin 2010 me inaugurime për herë të tretë e të katërt, ndërkohë që ekonomia e tyre kombëtare e familjare kalon një krizë të thellë”.

Kështu është shprehur gjatë një deklarate për shtyp, nënkryetari i grupit parlametar socialist, Saimir Tahiri, pas ceremonisë së inaugurimit nga kryeministri Berisha të dy rrugëve që zbresin në bregdet, konkretisht atë të plazhit të Jalit dhe atë të Livadhës, në Himarë.

“Rrugën e bregdetit Sali Berisha e gjeti të nisur dhe e mbaroi. Ndërkohë që njerëzve të bregut kryeministri i detyrohet shumë shpjegime për pronat që u ka tjetërsuar qeveria e tij, që nga Orikumi deri në Butrint”, tha më tej Tahiri.

Ndërsa, kreu i qeverisë do të shprehej paradite gjatë ceremonisë së inaugurimit të këtyre rrugëve se “gjatë këtyre 5 viteve, janë mbi 30 herë më të mëdha, sesa 8 vitet e tjera të marra së bashku”.

“Rrugët që ndërtuam, bënë që kombi, shqiptarët kudo që ndodhen, në Shqipëri dhe jashtë saj, të mbajnë sytë drejt detit. Përpjekje të tjera duhet të bëjmë se nuk mund të themi se në kaq pak vite, ne krijuam traditën e mrekullueshme të mikpritjes së turistëve”, tha ai. Duke përfunduar se “po ecim me rrugë, me infrastrukturë në drejtim të të gjitha maleve të vendit, drejt Çajupit, drejt Tomorit, Voskopojës, Prespës, Bjeshkëve të Namuna, Thethit, Bogës, Razmës, Lurës, Kalasë së Dodës, Shishtavecit, Korabit”.

n.e/NOA

KOMENTE