Bukuresht, 11 Gusht, NOA /Baki Ymeri - Këto ditë vdiq në Bukuresht, Thanas Rëmbeci, një nga të moshuarit e fundit të komunitetit shqiptar, i biri i atdhetarit të Rilindjes Kombëtare shqiptare, Dhimitër Rëmbeci.
Lajmi mbi shuarjen e tij në moshën 88-vjeçare e tronditi komunitetin. “Sot keni mbetur pa xha Nasin”, na tha bashkëshortja e tij, Dhorka, me një zë të përvajshëm.
Thanasi ishte shqiptar i kulluar dhe patriot i dëshmuar.
Na fliste me admirim për prejardhjen e Nikolla Jorgës, të parët e të cilit vinin nga malet e Shqipërisë, për respektin e Emineskut ndaj gjuhës shqipe, për korrespondencën me Zija Shkodrën, për shqiptarët e mbetur në front të Moldovës, për Afrim Zhitinë dhe kushëririn e tij, Fahri Fazliu, dëshmorët e Kosovës me të cilët mbante korrespondencë, ata që para se ta dhurojnë gjakun e shenjtë në themelet e lirisë, vinin nga Prishtina në Bukuresht, dhe prej këtu shkonin në Konstancë.
Thanas Kristo Rëmbeci ishte njëri nga bijtë e rilindësve tanë.
Edhe pse i lindur 1.000 km larg Shqipërisë , etja e tij për ta njohur gjeografinë e atdheut, historinë, gjuhën, traditat dhe kulturën shqiptare, ishte e jashtëzakonshme.
Nuk e duronte fanatizmin, gënjeshtrën dhe hipokrizinë.
E impresiononte Kosova dhe arbëreshët e Italisë, bota katolike shqiptare, atdhetarizmi i shqiptarëve të Amerikës, guximi i Gjergj Fishtës që e qortonte Evropën për copëtimin e truallit shqiptar.
Qysh para një çerek shekulli ëndërronte për pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin e madh kombëtar, ide të cilën rumunët e kanë konkretizuar qysh më 1918.
Garanci për këtë, sipas tij, janë komuniteti ndërkombëtar, Amerika dhe NATO, aleatë të mirëfilltë të shqiptarëve, ata që ia futën Milosheviçit të dy këmbët në një këpucë.
Një familje shqiptare me tradita të lashta të atdhedashurisë
Thanas Rëmbeci është i biri i Dhimitër Kristeskut, ky i fundit, tregtar dhe patriot. Edhe pse merrej me tregti, shkruante vjersha, botonte artikuj, bashkëpunonte me Shqipërinë e Re dhe me rilindasit tanë.
Dhimitri ishte njëri nga rilindësit e fundit të Bukureshtit që e mbante mend edhe Nikolla Naçon.
Thanasi u lind në Bukuresht para 88 vitesh (22 tetor 1922). Jetonte në pleqërinë e tij të thellë, me dashurinë e Shqipërisë në zemër.
E fliste shqipen ngase u lind në një familje me tradita të larta të atdhedashurisë. E ka kultivuar shqiptarizmin në gjirin familjar, në të gjitha pikëshikimet.
U shkollua, deri në shkallën më të lartë, që nga Bukureshti e deri në Vjenë. Përveç shqipes e rumanishtes e fliste me modesti italishten, frëngjishten dhe gjermanishten. Ishte inxhinier dhe ekonomist i pensionuar, ish/funksionar i institucioneve të kontrollit bankar dhe financiar në Rumani. Jetonte në një zonë periferike të Bukureshtit, në afërsi të Bënesës, atje ku dilnin shqiptarët në piknik, në kohën kur Bukureshti konsiderohej si kryeqendra e Shqipërisë së mërguar.
Admirimi i tij ndaj Kosovës dhe Shqipërisë kaplonte përmasa hyjnore, ngase ishte i sinqertë dhe i ndoqi shembujt e shenjtë të rilindësve tanë. Për të mos mbetur në kthetrat e asimilimit, në moshën 50 vjeçare shkon në Tiranë dhe martohet me një korçare (Dhorka Dishnica). Kështu pat vepruar edhe i ati i tij, edhe xhaxhallarët që jetuan në Rumani dhe u martuan me shqiptare. Përmallimi i xha Nasit dhe Dhorkës së tij ndaj Shqipërisë ishte i hatashëm.
Merre me mend, edhe në pleqërinë e tyre të respektuar, shkonin ta shohin Shqipërinë, rrinin atje nga një muaj, dhe ktheheshin me shpirt të përlindur në Bukuresht.
Familja e tij ishte e njohur për nga traditat e kultivimit të gjuhës shqipe dhe krenarisë së të qenit shqiptar. E respektonte kombin dhe fenë e të parëve tanë. Jetonte me kujtime të paharruara për prindërit, e përkujtonte farefisin, komunitetin e këtushëm shqiptar dhe shqiptarët e Amerikës. E përkujtonte me admirim Amerikën dhe korçarët e pasur të atjeshëm. Na fliste me sinqeritet për atdhedashurinë e tyre, për kontributin e tyre të pashoq që janë duke dhënë ndaj vendlindjes, ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë.
I ati i tij ishte mik i ngushtë me një varg personalitetesh të shquara shqiptare. Në njërin nga librat e tij, “Netë shqiptare”, Mitrush Kuteli shënon: “Zotit Dhimitri Kristesku, me gjithë simpatinë” (1940).
Po kështu ,vepron edhe Asdreni, në kohën e tij: “Atdhetarit të vyer dhe mikut tem të vjetër, z. Dhimitri Kristo Rëmbeci, kusht miqësije dhe dashurije nga ana e autorit” (1932).
Një përkushtim të ngjashëm, ia jep edhe Nonda Bulka, dyzet vjet më vonë: “Atdhetarit veteran Dhimitër Kristesku, i dhuroj këtë vepër modeste, në shenjë mirënjohjeje, për mikpritjen, dashurinë dhe ngrohtësinë që ka treguar ndaj meje, me gjithë familjen e tij” (Bukuresht, 31 maj 1972). Sa herë që e vizitonim, na e mbushte çantën me libra, dokumente e fotografi, të gjitha të ndërlidhura me komunitetin e këtushëm shqiptar. Ishte i vetëdijshëm se ato duhet të qarkullojnë. Çdo fjalë që fliste, çdo propozim që jepte, çdo vlerë arkivore që e falte, këtë e bënte me përzemërsi dhe përgjegjësi patriotike, duke patur parasysh faktin se dikush duhet të shkruajë e t’i afirmojë ato.
Varri i stërgjyshit të tij gjendet në manastirin e Shën-Naumit
Thanasi kishte studiuar në Vjenë për ekonominë e tregut dhe fliste për paranë që e vërtit botën. Sipas tij, “gjithmonë fiton ai që e ka cilësinë. Paraja është Zoti i dheut. Kjo botë është e dominuar nga gënjeshtrat dhe hipokrizia”.
Na fliste për Pandeli Evangjelin që e bëri Zogu kryeministër, për konsullin e Shqipërisë në Konstancë, Nik Pemën, për qëndrimin e Zogut në Bukuresht kur e braktisi Shqipërinë, për priftërinjtë shqiptarë të Bukureshtit, At Stelianin, Çallamanin dhe Piru Buqiun. Shkruante epigrame dhe komentonte librat e lexuar.
E lexonte Karol Vojtilën në gjuhën shqipe, i admiron studimet e Engjëll Sedajt, Dom Lush Gjergjit, Gjergj Gashit, Don Gaspër Gjinit. E impresiononte monografia Papa Shqiptar Klementi XI – Albani dhe propozonte përkthimin e tij në gjuhën rumune. Shprehte keqardhje për mashtrimet e deputetes joshqiptare Oana Manolescu dhe të miqve të rrejshëm të Shqipërisë që shkojnë e ngucen te prejardhja e Kolë Bojaxhiut. Kur vjente fjala për Kosovën, xha Nasi shprehte keqardhje për klasën politike rumune që nuk din ta krahasojnë fatin e Kosovës me atë të Besarabisë, e para viktimë e terrorizmit serb, ndërsa e dyta viktimë e imperializmit sovjetik.
Thanas Kristo Rëmbeci posedonte një bagazh të gjerë njohurish të përfituara nga përvoja jetësore dhe fjalorët enciklopedikë. Nuk ishte teolog por e impresiononte përmendja e Ilirikut në Bibël, rrugëtimet e Shën Palit nëpër Iliri dhe letrat e tij.
Edhe pse ka lindur ortodoks, e preferonte Papën, Vatikanin, Perëndimin dhe botën katolike. Sipas tij, “Kjo është e vetmja rrugë për shpëtimin e shqiptarizmit nga varfëria dhe fanatizmi”.
Xha Nasi i besonte Zotit dhe ekzistencës së tij në trurin tonë. Është Zoti Ai që ia ka dhënë mençurinë për të lexuar edhe në pleqëri të thellë. Lexonte porsi hebrenjtë, çdo vlerë kombëtare që ia fisnikëronte shpirtin, ia lartësonte ndërgjegjen dhe ia zgjeronte njohuritë. E entuziazmonte bota mendimtare e Arbën Xhaferit dhe publicistika e Teki Dervishit, Lidhja e Antonio Belluscit, Illyria e Ekrem Bardhës, Dielli i Dalip Grecës, Zemra Shqiptare e Gëzim Markut, shtypi shqiptar i Kosovës dhe Fakti i Emin Azemit.
Varri i stërgjyshit të tij (Papa Robe), gjendet në oborrin e manastirit shqiptar të Shën Naumit në Ohër. Sipas tij, “shtypi shqiptar i Bukureshtit dhe shoqëritë e këtushme shqiptare, protestuan me të madhe, për lajthitjet e Zogut që ia dhuroi këtë manastir Jugosllavisë cariste, më 1925.
Shqiptari që digjej nga malli për ta parë Shqipërinë
Në moshën 22-vjeçare, në kohën e Luftës së dytë botërore (24 Gusht 1944), qe bombarduar edhe shtëpia e tij, në rrugën Berzei. Nuk e harronte kurrë vëllaun e tij, Nikun e dashur, që ra viktimë e bombardimeve. Katër vjet më vonë, babait të tij komunistët ia nacionalizuan pasurinë e fituar me djersë, qilarët me verë. E shqetsonte fakti pse u degdisën vlerat dokumentare. Ku është arkivi i Kolonisë shqiptare të Rumanisë, pyeste dhe përgjigjej: Gabimin trashanik e ka bërë Nik Pema që ia dorëzoi Konzullatës së Italisë në Bukuresht. I vjente keq për faktin që komuniteti i këtushëm shqiptar ende nuk ka dalë nga anonimiteti, madje shkon duke u shuar si pasojë e mashtrimeve të joshqiptares Oana Manolescu që iu kundërvu Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë duke e hedhur kandidaturën për parlament në emër të “minoritetit” shqiptar (1996-2012). “Shqiptarët e këtushëm duhet të bashkohen, jo përmes prizmës politike, por përmes atdhedashurisë ndaj Shqipërisë dhe ndaj Rumanisë” na thoshte xha Nasi duke bërë fjalë për profesionin prej shefit të kontabiliteit që ka patur, për atë të inspektorit të kreditit në sektorin e projektimeve dhe hulumtimeve, 35 vjet me radhë, deri sa u pensionua. E ka njohur Dhimitër Polenën dhe na e përkujtonte faktin se të parët e tij vinin që nga koha e Skënderbeut. Na përmendte emra si Ksanthipi, Papa Robe, Jovani, Pandi, Olimpia, Dhimitri, Iloja, Afërdita, Aleksandra, Katerina, Gabriela, Vangjeli, Leni Shuka e tjerë. E përkujtonte me një pietet të rrallë mamanë, Aleksandrën e ndjerë që i ofronte mikpritje Asdrenit, duke e gostitur me petë korçare. Aleksandra u lind në Bukuresht, në gjirin e një familjeje të pasur të tregtarëve shqiptarë. Jetoi 90 vjet, pa u ndarë kurrë nga gjuha shqipe dhe shpirti shqiptar.
Xha Nasi na fliste për vëllazërimin e dikurshëm përmes përzierjes së gjaqeve, të Pandi Kristeskut dhe Muhedin Huseinit, i pari korçar ndërsa i dyti kërçovar nga Drëgëshani. Sipas tij shqiptarët nuk duhet të lejojnë t’i përçajnë vehabistët në baza fetare.
Na fliste me admirim për Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun, dëshmorët e Kosovës me të cilët kanë mbajtur korrespondencë, ata që para se ta dhurojnë gjakun e shenjtë në themelet e lirisë, vinin nga Prishtina në Bukuresht, dhe prej këtu, shkonin në Konstancë. Sa herë vinte fjala për ta, i kaplojnë emocionet, u mbushen sytë me lot dhe ia krisinin vajit. Derisa ishte i ri, Thanas Rëmbeci frekuentonte ballot shqiptare të Bukureshtit, duke shkëlqyer në to si valltari më i mirë, së bashku me Rina Danilin, Taqi Polenën, Teodor Papapavlin, Athanas Papapanon.
Në fotografitë që na prezantonte, dallohen zonjat Anastasia Gjergji, Leni Shuka, Lule Selimi, Kostaq Shandro, Zhan Pateli, pothuajse të gjithë, bijë dhe bija rilindësish. Na fliste për recitalet, dramën, këngët dhe vallet shqipe, për sallën Prietenia, e mbushur plot e përplot me shqiptarë. Rrëfente për tenorin e shquar rumun me prejardhje shqiptare, Mihailesku Toskani, njëri nga themeluesit e Operës Rumune, si dhe për të bijën e tij, Smaranda Toskani, që u shpërngul në Amerikë. Nuk e dinte në jeton, por e dinte se ka përvojë të gjatë artistike, dhe po qe se jeton, duhet të bëjë diç për t’ia përgatitur babait një monografi. Kur qe themeluar Opera Rumune, Mihailesku Toskani gjendej në Jash të Moldovës, ku mbante një koncert. Njëra nga romancat e tij, e njohur në përmasa kombëtare quhej Smaranda, romancë e ndaluar në kohën e Çausheskut, ngase i referohej Zotit. Para se të shkojë në Amerikë, Smaranda Toskani ishte kryetare e formacionit Cantabile, që jepte koncerte anembanë Rumanisë. Pse mos të shkruajnë shqiptarët një monografi për këtë njeri, thoshte xha Nasi duke shtuar: Ata që ia duan të mirën Shqipërisë, duhet ta bëjnë këtë punë ngase me shuarjen e Smarandës, shuhet një fragment artistik i trungut shqiptar në Rumani.
E afirmoi Shqipërinë, deri në Amerikë
Paralelisht me ripërforcimin e lidhjeve diplomatike rumuno/shqiptare, Thanas Kristo Rëmbeci, korçar për nga babai dhe voskopojar për nga mamaja, inkuadrohet intenzivisht përmes ambasadës shqiptare, duke dhënë kontribute vullnetare për ta bërë të njohur Shqipërinë në Rumani. Në këtë drejtim ai fiton edhe Çmimin e dytë në kuadrin e një konkursi. Etja e tij për ta njohur gjeografinë e atdheut, historinë, ekonominë, gjuhën, traditat dhe kulturën shqiptare, ishte jashtëzakonisht e madhe. Pjesëmarrja e tij në trupat teatrore, nëpër klube, ballo e dasma shqiptare, ishte po ashtu e jashtëzakonshme. E këtillë ishte e ëma e tij e ndjerë, shqiptarja që e gostiste Asdrenin me lakror, zonja Aleksandra (1901-1992), e bija e Dionisit dhe Erasmi Nikollë Heqimit. Një patriote e këtillë është edhe bashkëshortja e tij. Sa herë që vinin shqiptarë nga Shqipëria, për t’u mjekuar në spitalet e Bukureshtit, zonja Dhorka ishte e vetmja që u rrinte pranë. Shkonte në spital për t’i vizituar e ndihmuar. Rrinte me ta, i inkurajonte dhe s’i harron kurrë. Xha Nasi mburrej me faktin se populli shqiptar po punon dhe po rritet me ritme të shpejta.
Na fliste për kujtimet e babait të tij që e mbante mend Ahmet Zogun kur e braktisi Shqipërinë me 20 arka me ar, për të vajtur në Angli duke kaluar nëpër Bukuresht. Fliste me admirim për Nikollaq Zoin dhe vëllain e Nik Pemës që erdhi në Bukuresht pasi e vrau beun e Korçës që ua gëlltiste pasurinë shqiptarëve të varfër.
Në gjirin e familjes së tij flitet shqip dhe përcillen rregullisht programet e televizionit shqiptar, madje edhe ato të televizionit të Kosovës. Në moshën e tij të respektuar, 86 vjeçare, shprehte dëshirën për përkthimin dhe botimin e ndonjë libri ku bëhet fjalë për masakrat serbe në Kosovë, gjë që shkon duke u konkretizuar. Nga veprimtaria konkrete për afirmimin e kulturës shqiptare në këtë vend, para 25 vitesh, Thanas Kristo Rëmbeci ka përkthyer dhe prezantuar në valët e radio Bukureshtit vargjet e Naim Frashërit, Fan Nolit, Migjenit, Asdrenit, Fatmir Gjatës etj. Ato janë transmetuar me rastin e Ditës së Flamurit (1981 dhe 1982), në kuadrin e emisionit “Din lirica albaneza”.
Në fillim të viteve ‘90-të, përmes intervenimeve të tij, revista amerikane National Geographik e prezanton Shqipërinë me vlerat më të bukura natyrore, historike dhe kulturore që ka. Më vonë shprehte dëshirë për preze\antime të reja, për t’ia bërë të njohur Rumanisë vlerat e larta të shqiptarizmit, sidomos Kosovën dhe vlerat shqiptare të ritit katolik, ngase fjala është për një konfesion të persekutuar nga turqit mënjanë, dhe nga serbët në anën tjetër. Ai respekton me rigorozitet parimet e shenjta të Biblës, përmes të cilavet duhen përmbushur obligimet ndaj prindërve, ndaj familjes dhe farefisit, ndaj atdheut dhe të varfërve.
b.y/NOA